Po nisin të mbarohen superlativat që përshkruajnë Cristiano Ronaldon e bashkë me ta po përfundojnë edhe rekordet që duhet të thyejë futbollisti portugez.
Mbeten numrat e frikshëm që anësori luzitan po regjistron nga ndeshja në ndeshje dhe certifikojnë një lojtar unik që ishte kulmi i mbrëmjes emocionuese të Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve.
Cristiano Ronaldo kundër Wolfsburg, jo vetëm që i dha jetë një prej përmbysjeve më të bukura në të historinë e afërt të Champions, por përmirësoi statistikat personale.
Mbi të gjitha, kapiteni i kombëtares së Portugalisë, shton ndjeshëm kuotat kundrejt Lionel Messit në garën në distancë për “Topin e Artë” 2016.
Zidane në fundin e ndeshjen ndaj gjermanëve e cilësoi numrin 1 në planet, ndërsa Ronaldo mori me vete topin pas ndeshjes, pa harruar autografin e të gjithë lojtarëve.
Tripleta kundër Wolfsburgut, bomberi i galaktikëve shkon në 16 gola sezonal në Champions, e si për t’i shtuar hijeshinë, është vetëm një gol larg rekordit që mbahet po nga portugezi.
Ronaldo barazoi Lionel Messin për numrin e tregolëshave të realizuar në Champions, ndërsa barazoi edhe Del Pieron për golat e shënuar nga goditje dënimi në të njëjtin turne.
Ata që tentojnë të ulin sprintin e Ronaldos thonë se golat kanë ardhur ndaj ekipeve mesatare si Malmo, Roma, Shakhtar dhe Wolfsburg, por pesha e shënimit certifikon paraqitjet e një mbreti në futbollin e Champions League.
Ronaldo tashmë ka marrë arratinë në garën për “Topin e Artë” dhe mbetet për t’u parë sesa do të vrapojë Lionel Messi për të frenuar portugezin.