Site icon Telegrafi

Rekord i industrisë së makinave

Prodhuesit e makinave kanë vendosur një rekord të ri të shitjeve përgjatë vitit që lamë pas, pavarësisht performancës së dobët të dhjetorit.

Për gjatë të gjithë vitit 2015 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shitën plot 17.47 milionë makina, duke thyer kështu edhe rekordin e vitit 2000, ku u shitën 17.41 milionë njësi. Amerikanët janë nxitur të blejnë makina falë çmimeve mjaft të ulëta të karburantit dhe kushteve të favorshme të kreditimit.

Ekspertët shprehen se trendi do të jetë i njëjtë edhe përgjatë viti 2016, pasi faktorët nxitës do të jenë po aty. Punësimi i fortë por edhe rritja e pagave pritet të vazhdojnë performancën pozitive përgjatë këtij viti, çka sinjalizon besim të lartë te konsumatorët dhe rritje të shpenzimeve.

Projeksionet paraprake sinjalizojnë se shitjet gjatë këtij viti do të tejkalojnë 18 milionë njësi. Rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale pritet të mos ndikojë në këtë ecuri. Ekspertët shprehen se impakti do të ndihet vetëm nëse normat e interesit shkojnë në 3%. Industria tashmë është rimëkëmbur tërësisht nga kriza financiare globale, raporton Scan TV.

Gjatë vitit 2009, shitjet zbritën në rreth 10 milionë njësi. Gjatë vitit 2015, shitjet e General Motors, prodhuesi numër një në vend, u rritën me 5.7%. Rritje të konsiderueshme raportojnë edhe Fiat Chrysler, Nissan dhe Toyota. /Telegrafi/

Exit mobile version