Site icon Telegrafi

Rekomandohet që Universiteti i Mitrovicës të mos regjistrojë studentë të tjerë, Gjinovci raportet e ekspertëve i konsideron të besueshëm (Video)

Raporti i ekspertëve ndërkombëtarë rekomandon që Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” të mos regjistrojë studentë në vitin akademik 2019-2020. Gjetjet për këtë po njihen si kredibile nga njohësit e fushës së arsimit, ndërsa në Universitet, thonë se nuk është i bazuar në fakte.

Ekspertët ndërkombëtarë thonë se Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” nuk i ka përmbushur kriteret për të regjistruar student të rinj, në vitin e ardhshëm akademik.

“Duke parë mungesën e qeverisjes dhe aftësive institucionale, ekspertët janë shumë të shqetësuar për qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë që duhet ta çojë institucionin përpara. Në përfundim, ekipi i ekspertëve konsideron se Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’ është vetëm pjesërisht në përputhje me standardet e përfshira në manualin e Akreditimit të AKK-së dhe prandaj rekomandon që të mos akreditojë institucionin”, thuhet në raportin e eksperteve rumune Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu.

Rron Gjinovci, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, e njeh si kredibil këtë raport.

“Të gjitha raportet e ekspertëve që janë në regjistrin e Enkas dhe Kuarit janë ekspertë të besuar dhe profesionistë, të cilët e kryejnë detyrën sipas niveleve dhe etikës së standardeve evropiane, për të cilët nuk besoj se duhet të kemi ndonjë dyshim”, tha për RTV Dukagjinin, Rron Gjonivci.

Por, në Universitetin e Mitrovicës, thonë se ky raport nuk ishte i bazuar në fakte.

“Duke parë rekomandimet që kanë dalë, kemi gjetur se ato rekomandime nuk janë bazuar në gjendjen faktike në Universitetin e Mitrovicës. Ne kemi konstatuar se ato rekomandime kanë qenë tendencioze dhe nuk kanë qenë profesionale”, tha Ahmet  Jashari nga Universiteti “Isa Boletini”.

Kundër këtij raporti, patën paralajmëruar protesta edhe Parlamenti Studentor, por që kjo protestë pezullua. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

 

Exit mobile version