Ideja e ministrit të jashtëm grek, Nikos Kocijas për marrëveshje të re mes Maqedonisë dhe Greqisë në Kombet e bashkuara, për profesorin universitarë Blerim Reka, do të thotë zvarritje e re e zgjidhjes së problemit me emrin. Sipas tij, problemi ka kontekst më të gjerë gjeopolitik, ndërsa Greqia është aty për ta bllokuar zgjidhjen.
Gjatë vizitës së djeshme në Athinë të ministrit të jashtëm Dimitrov, ishte shqyrtuar edhe konteksti identitar i problemit me emrin, ndërsa mediumet e hapën edhe çështjen e përmendoreve nga projekti “Shkupi 2014” të cilin pala greke e konsideron si provokim.
Profesori Reka vlerëson se qeveria e re nuk duhet ta bartë barrën e këtij projekti sepse as e ka krijuar e as e ka mbështetur. Ai inkurajon angazhimin e ministrit të jashtëm Nikola Dimitrov që problemin nga elementi identitar ta kthejë në esencën e vet-emrin.
Por, përkundër paralajmërimeve se të paktën dëshiron të heq një fasadë, deri më tani nuk ka asnjë përgjigje konkrete sesi kjo qeveri do të ballafaqohet me barrën e projektit Shkupi 2014 i cili ende po qëndron si barrë mbi zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë.