Ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka paraqitur sot para kabinetit qeveritar raportin e punës për 100 ditshin e ministrisë që e drejton. Me të marrë mandatin ai tha se kishin konstatuar ngecje në zbatimin e agjendës evropiane.
Reka tha se sa i përket liberalizimit të vizave Gjykatat e Kosovës nuk kishin përmbyllur rastet e shenjëzuara të korrupsionit të lartë dhe të krimit të organizuar.
“Tek agjenda evropiane konstatuam ngecje në zbatimin e saj sepse nuk ishte zbatuar gjysma e planit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes për Stabilizim Asocimit. Ishte zbatuar më pak se gjysma e agjendës për reformë evropiane ERA 1. Ndërkaq në procesin e liberalizimit të vizave Gjykatat tona nuk kishin përmbyllur rastet e shenjëzuara të korrupsionit të lartë dhe të krimit të organizuar, që kërkoheshin nga Komisioni Evropian që nga viti 2016”, tha ai.
Kjo vonesë tre vjeçare e mos përmbushjes së reformës evropiane, Reka tha se nuk mund të kompensohej me vetëm tre muaj në detyrë.
Sa i përket zbatimit të ligjit në këtë ministri, Reka tha se janë gjetur dhe trashëguar obligime financiare lidhur me kontratën lobuese me një kompani franceze në vlerën prej 168 mijë euro, kontratën lobuese me një kompani amerikane në vlerën prej 171 mijë dollarë, kontratën për shërbime informimi me një kompani vendore në vlerën prej 881 mijë e 389 euro dhe kontratën mbi qiranë prej 23 mijë euro qira mujore. Ai tha se për këto kontrata Ministria e Integrimeve kishte paguar në muaj nga 117 mijë e 183 euro.
Reka tha se me marrjen e mandatit ka ndërprerë kontratën për qira të objektit, kurse për tri kontratat e tjera tha se duke aplikuar disiplinën financiare kanë arritur që t’i kursejnë buxhetit të Kosovës 320 mijë euro në vit. Shpenzimet në ministri tha se i kanë reduktuar në vetën 15 përqind. /kp/Telegrafi/