Tijjani Reijnders është një nga goditjet më të mira të Milanit, së paku kështu thonë statistikat e tij dhe paraqitja në fushë në këto tre sfidat e para në Serie A.
Mesfushori holandez iu bashkua Rossonerëve nga AZ Alkmaar dhe menjëherë ka zënë vend në formacionin bazë të trajnerit Stefano Pioli.
25-vjeçari ka folur nga grumbullimi me Kombëtaren holandeze duke thënë se është i lumtur që është pjesë e Milanit dhe se dëshiron të qëndroj gjatë te kjo skuadër.
“Jam në një nga klubet më të mëdha në botë. E shoh veten duke luajtur këtu edhe për disa vite të tjera”, tha mesfushori holandez.
“Kur jam në palestër, shoh ‘Hall of Fame’. Aty shoh Gullit dhe Van Basten me Topat e Artë. Këtu te Milan janë shumë të lumtur me lojtarët holandezë. Më quajnë ‘Power Reijnders’, nga ‘Power Rangers’. Ata shpikin gjithçka”.
“Edhe pse sezoni sapo ka filluar, ne jemi në rrugën e duhur. Unë me të vërtetë dua të fitoj titullin. Nuk kam fituar asnjë çmim në jetën time dhe dua që titulli të jetë i pari për mua në këtë klub të bukur”, deklaroi mesfushori holandez. /Telegrafi/