Telegrafi

Regjistroni numrin tuaj 049, deri në fund të muajit

Pas vendimit të ART’së për shtyrjen e afatit për regjistrimin e konsumatorëve të telefonisë mobile,  të gjithë përdoruesit e telefonisë mobile IPKO mund të regjistrojnë numrat e tyre mobil deri më datën 31 mars 2011, e cila është afruar mjaft dhe nuk ka mbetur edhe shumë për kohë për konsumatorët e kësaj telefonie mobile që ta regjistrojnë numrin e tyre.

“Procesi i regjistrimit të konsumatorëve të telefonisë mobile IPKO po kryhet me sukses, përkundër faktit që ka edhe një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve të cilët kanë vendosur që numrat e tyre t’i regjistrojnë në ditët e fundit të këtij procesi.

Megjithatë, ne apelojmë tek të gjithë konsumatorët tanë të telefonisë mobile, që mos ta lëshojnë asnjë rast për ta kryer këtë proces, pasi që kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në fund të afatit të caktuar ligjor” ka thënë Alban Kastrati, drejtues i marrëdhënieve me publikun në IPKO.

Në bazë të Rregullores së nxjerrë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART), përdoruesit e telefonisë mobile IPKO janë të obliguar të regjistrojnë numrat e tyre me parapagim brenda këtij afati të caktuar kohor, përndryshe rrezikojnë që t’i humbin.

Sipas njoftimeve të deritashme të operatorit mobil IPKO, regjistrimi i numrave mobil në me prefiksin 049 mund të bëhet në pika të ndryshme regjistrimi në të gjitha qendrat e Republikës së Kosovës. / Telegrafi /