Site icon Telegrafi

Regjistrimi i popullsisë, flet fituesi i shpërblimit të ASK-së prej 10 mijë eurove

Alberit Sopa është fituesi i lojës shpërblyese në vlerë prej 10 mijë euro, i shpallur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për të qëlluar numrin e saktë gjatë regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Ai kishte supozuar se numri total i banorëve do të jetë 1 milion e 586 mijë 640, duke iu afruar më së shumti numrit sipas ASK-së, që është 1 milion e 586 mijë e 659.

Pas pranimit të shpërblimit, Sopa tha u shpreh se përafrimi i numrit me atë real, ka qenë më shumë çështje fati.

“Sa i përket lojës, besoj që ka qenë më shumë fat sesa ndonjë analizë ose ndonjë matematikë. Faleminderit ASK-së për mundësinë, për shpërblimin dhe korrektësinë e rezultatit”, tha Sopa.

Egzona Grajqevci nga komisioni vlerësues tha se vlera e shpërblimit është 10 mijë euro bruto. Ajo tregoi se kriteri për të fituar çmimin ishte që pjesëmarrësit të qëllojnë numrin e saktë ose të përafërt me numrin real të banorëve në procesin e regjistrimit.

Grajqevci përmendi se loja shpërblyese ishte e hapur në platformën “e-Kosova”, derisa numri total i pjesëmarrësve është 23 mijë e 494, raporton kp.

“Qëllimi i lojës shpërblyese ishte që të sensibilizohen qytetarët për të qenë pjesë e regjistrimit të popullsisë. Loja shpërblyese filloi nga data 11 prill dhe vazhdoi deri më 10 maj 2024… Loja shpërblyese ishte hapur në platformën E-Kosova dhe numri total i pjesëmarrësve në lojë shpërblyese është 23 mijë e 494…Vlera e këtij shpërblimi për fituesin e lojës shpërblyese është 10 mijë euro bruto. Kriteri në lojën shpërblyese ishte që, shpërblimi i ndahet personit që e ka dhënë saktë numrin e popullsisë rezidente sipas ReKos 2024.

Në rastin tonë ky numër ishte 1 milion e 586 mijë e 659. Por, kriteri i dytë ishte, nëse askush nga lojtarët nuk e jep saktë numri e popullsisë rezidente, atëherë shpërblimi shkon tek ai ose ajo që ka vlerësuar numrin më të përafërt me numrin e saktë të popullsisë rezidente. Sipas të dhënave që i kemi pranuar nga sistemi, numri më i përafërt është 1 milionë e 585 mijë e 640. Andaj, komisioni pas kritereve të kësaj loje shpërblyese, e shpallë fituesin Alberit Sopa”, tha Grajqevci.

Qëllimi i lojës shpërblyese ishte që të sensibilizohen qytetarët për të qenë pjesë e regjistrimit të popullsisë. /Telegrafi/

Exit mobile version