Site icon Telegrafi

Regjistrimi i Popullsisë nuk mbaroi. Ku mbetën 13 milionë euro

Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe i Banesave në Kosovë, i paraparë të fillojë në terren prej datës 1 – 15 prill 2011, në fakt, nisi por nuk mbaroi. Ai mbeti në fillimin e saj, nuk e arriti as gjysmën, duke mos e arritur qëllimin – mbledhjen e të dhënave në terren për shfrytëzim statistikor demografik, ekonomik dhe, përgjithësisht, shoqëror në Kosovë.

Është vetëm një arsye për këtë: mungesa e njohurisë së lëmisë së statistikave, konkretisht të procesit të Regjistrimit të Popullsisë nga ana e zyrtarëve të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK). Megjithëkëtë, Fondi i Mirëbesimit me vlerë prej rreth 13 milionë euro, i krijuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga disa dhurues/donatorë ndërkombëtarë, gati se po shpenzohet i tëri por pa u përmbyllur Regjistrimi. Paratë po harxhohen ndërsa Regjistrimi nuk po mbaron, nuk po përfundon, nuk po përmbyllet.

Atëherë, pse po ndodh ose ndodhi një situatë e tillë? Si erdhi shoqëria e Kosovës, me gjithë organet institucionale të ngritura vetëm për Regjistrimin e munguar tash e tridhjetë vjet, në një pozitë që t’i ketë të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë dhe duke mos u kufizuar në vetëm rreth 13 milionë euro, ndërsa që Regjistrimi i Popullsisë të mos mbaroi ose përmbyllet ashtu siç duhet?

Që në fillimin e këtij procesi, atëherë Ministria e Shërbimeve Publike e udhëhequr nga ish- ministrja, Melihate Tërmkolli, kishte themeluar Zyrën për Regjistrimin e Popullsisë (ZRP) plus duke i ndarë rreth 3 milionë euro për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe njerëzore të kësaj zyre. Por, kjo zyrë, përgjatë tërë punës së vet, ishte ndjekur me mostransparencë në shpenzimin e këtij tremilionëshi (nuk ka asnjë raport as zyrtar e as informal), si dhe probleme të brendshme në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe njerëzore për Regjistrim.

Kjo zyrë, me vite të tëra, në listën e pagave të veta kishte angazhuar disa të punësuar, po ashtu në njëjtën kohë të punësuar edhe në ESK, në mbarimin e disa punëve procedurale në përgatitjen e terrenit ligjor, administrativ dhe njerëzor e teknik për fillimin e Regjistrimit të Popullsisë. Duhet thënë që këta të punësuar të dyfishtë e të trefishtë, punësim ky në kundërshtim me ligjin gjithsesi, kishin dështuar të ofronin përvojën dhe njohurinë e tyre në lidhje me përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë.

Në periudhën kohore 2005-2009, Zyra për Regjistrimin e Popullsisë, e themeluar enkas për t’u marrë me Regjistrimin e Popullsisë në kuadër të ESK-së, kishte përgatitur dhe zbatuar plot tri pilot ose test-Regjistrime provuese. Në të tria testet Regjistrimi kishte dështuar për shkak të mangësive teknike dhe organizative. Sa për të përmendur për ilustrim, edhe atëherë regjistruesit në terren nuk kishin arritur t’i regjistronin ose shënonin të gjitha ekonomitë familjare dhe banesat, përkatësisht banuesit në to. Veç kësaj, edhe ana cilësore e Regjistrimit, pra pyetësorët dhe formularët kishin dalë si të mundimshëm për t’u plotësuar, me përplot pasaktësi gjuhësore, me renditje të gabuar të pyetjeve, pastaj me pyetje hutuese dhe të përkthyera keq gjuhësisht dhe të tjera. Fatkeqësia është që përkundër raporteve vendore dhe ndërkombëtare për këto dështime organizative, ESK-ja asnjëherë nuk kishte marrë asnjë nismë për t’i përmirësuar këto elemente teknike-organizative.

Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe i Banesave në Kosovë, i mbajtur në prill të vitit 2011, konsiderohet si i përmbyllur nga ana e zyrtarëve të ESK-së, përkatësisht Eurostati dhe nga Qeveria e Kosovës. Në parim, ka mbetur të jepet vetëm pëlqimi i rezultatit nga terreni, pëlqim i cili do të jepet pa marr parasysh rrethanën që veriu i vendit, një pjesë e madhe e banuesve rezidentë, si dhe mërgimtarët dhe fëmijët e tyre, nuk do të përfshihen në Regjistrim, nuk do të jenë pjesë e rezultatit nga terreni, nuk do të jenë pjesë e statistikave zyrtare të Kosovës.

Ndërkohë, janë ofruar disa të dhëna paraprake me shifrat për numrin e përgjithshëm të popullsisë, si dhe në bazë të komunave, përkatësisht në bazë të ndarjes gjinore. Të dhënat e ofruara në bazë të ndarjes gjinore (mashkull, femër për secilën komunë), në kuadrin që janë dhënë, janë ofruar si atraksion për të shmangur vëmendjen e përdoruesit nga tema reale dhe konkrete – dështimi, përkatësisht mosmbarimi i Regjistrimit të Popullsisë edhe nga ana sasiore edhe nga ana cilësore.

Në fakt, a mund të quhet i dështuar Regjistrimi i Popullsisë, i cili nuk arriti të mbledhë të gjitha të dhënat statistikore as deri në 90 për qind për ekonomitë familjare, banesat dhe banuesit në Kosovë? Deshëm ose nuk deshëm, përgjigja është pohuese – Regjistrimi i Popullsisë ka dështuar, sepse nuk është i plotë, përkatësisht nuk do të jetë i plotë. Kjo është sikurse situata kur e ke në plan dhe në projekt të ndërtosh një banesë tre-katëshe për gjashtë familje ndërsa që në realitet atë çfarë ke përpara është themeli dhe muret e katit të parë pa “plloçë”.

Fatkeqësia e dështimit të tërë këtij procesi është se përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë kishin nisur me vite të tëra përpara prillit të vitit 2011. Në këtë ndërmarrje kishin hyrë dhe dalë shumë persona, të njohur e të panjohur, të dijshëm dhe fillestarë në këtë proces dhe, megjithëkëtë, Regjistrimi i kryer në prillin e vitit 2011 nuk arriti të del i plotë. Në përgatitjen për Regjistrimin e Popullsisë, përgjatë këtyre viteve, kishin marr pjesë edhe shumë persona dhe organizata ndërkombëtare.

Dhe tashti vijmë para një situate që thotë kështu: si është e mundshme të dështojë një projekt kur ai ka filluar të organizohet para plot gjashtë viteve dhe kur problemin më të vogël e ka pasur mungesën e parave, fondeve financiare? Si është e mundshme të dështojë një projekt multimilionësh? Sepse nuk ma merr mendja që ka të tillë që pajtohen me situatën kur, ta zëmë, vetura e blerë prej 300 mijë euro nuk punon, nuk ecë, andaj nuk mund të ngaset.

Fondi 13-milionësh i Mirëbesimit nuk ka blerë mall të prishur, por të papërdorshëm (dhe atë banesën e nisur trekatëshe e ka lënë në gjysmë, duke lënë familje pa strehë) sepse është i paplotë. Edhe ashtu ka analiza interesante financiare që thonë që ky Fond ishte tepër i lartë për një ndërmarrje të tillë kur kihet parasysh hapësira ose madhësia gjeografike e vogël e Kosovës. Pra, ku mbetën paratë e shpenzuara dhe a do të ketë ndonjëherë ndonjë faturë për to? Nuk e di, por nuk e besoj.

Exit mobile version