Për ata që merren vesh në statistika, Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe i Banesave pësoi kolaps. Ky kolaps erdhi si rezultat dhe pasojë e organizimit të keq nga ana e organizatorëve. Organizatorët ishin ata që u kujdesën që përgjatë tërë kohës, procedurave dhe ligjeve Regjistrimi të përjetoj kolaps, edhe statistikor edhe politik. Fillimisht, si arsyetim, zyrtarët/organizatorët e Regjistrimit u kujdesën që në secilën shfaqje publike–mediale të theksonin që Regjistrimi është proces teknik. Në njëfarë mënyrë, sikurse bisedimet me Beogradin.
Koncepti i kësaj shfaqje dhe i përgjigjes, si rrjedhojë, është po i njëjti: gjithçka në jetë është teknike, duke nisur prej ndërtimit fizik-anatomik të qenies njerëzore e deri tek rrëmojsa ose edhe anija kozmike. Tashti, e tëra varet se si përdoret ky “teknikalitet” dhe cilat janë ndjenjat, mendimet e njerëzve për atë përdorim. Për të thënë, politika është produkt/prodhim i po atij teknikaliteti. P.sh, ajo që del nga bisedimet qeveritare Prishtinë-Beograd (nëse del diçka) është krejtësisht prodhim përfundimtar politik.
Ndërsa, në rastin e Regjistrimit, prodhimi është statistikor, por i mbështjellë me politikë. Dua të them, shifra e përfolur nga vet organizatorët e Regjistrimit për Prishtinën, si Komunë e jo si qytet, se i ka rreth 200 mijë banorë, është shifër qesharake kur dihet që vetëm lagja Bregu i Diellit e tejkalon këtë realitet. Natyrisht, së pari janë gabimet metodologjike dhe pastaj organizative-teknike që sollën këtë shifër. Dhe kjo shifër pastaj gjithsesi, me kalimin e kohës, politizohet.
Dhe kështu, nuk dolëm as 2 milionë banues në Kosovë. Gjykuar sipas metodologjisë statistikore që është ndjekur në këtë Regjistrim, kemi dalë bile tepër. Por, pse është me rëndësi që partitë politike, organizimet jashtë-institucionale ose jo-qeveritare, mediat, publicistët, akademikët, të merren dhe trajtojnë këtë Regjistrim, si dhe pastaj ta hedhin poshtë si të pabazë? Sepse është përfshirja ose ndikimi politik që vjen pastaj. E kjo s’ka lidhje as me veriun e me serbët si etnitet ose entitet i Kosovës si dhe me pakicat tjera. Dua të them, ky Regjistrim e qet Kosovën po ashtu me shqiptarët pakicë-shtetformuese në të.
Nëse në këto dhjetë vjetët e kaluara qasja politike ka qenë kjo, se Kosova nuk është vetëm e shqiptarëve, por edhe e të tjerëve që jetojnë në të dhe se, rrjedhimisht, të tjerët janë po ashtu me karakter shtetformues, atëherë tashti, nga ky Regjistrim, shqiptarët do të trajtohen si minoritet, pra që del se Kosova nuk është e shqiptarëve e as që ka qenë ndonjëherë. Pra, Dokumenti i Ahtisarit merr kuptim (ironi, apo jo?).
Dhe nga këtu, Eurostati do të njeh dhe certifikojë rezultatin statistikor. Sepse i tërë ky skenar ishte i përgatitur me vjet të tëra. Ndërkohë, organizatorët me etni shqiptare (të vetëdeklaruar, natyrisht) i mbushën xhepat me pare. Dhe tash, kur procesi i Regjistrimit ka filluar gradualisht të kundërshtohet nga vendësit, organizatorët shfaqin prirje të natyrshme të fajësojnë ose regjistruesit, mbikëqyrësit dhe kontrollorët në terren ose Lëvizjen Vetëvendosje pse përplot ekonomi familjare nuk u regjistruan. Sa për të përmendur, u harxhuan dhe vazhdojnë të harxhohen rreth 12 milionë euro për këtë projekt statistikor-politik.
Edhe një herë, organizimi i procesit dhe i projektit të Regjistrimit të Popullsisë nisi keq, por me qëllim dhe prapavijë politike. As mediat, as shoqëria civile, as akademikët, as partitë politike, as publicistët dhe asnjë qytetar tjetër i interesuar nuk u ftua të jetë pjesë e këtij organizimi. Dhe krejt kjo nuk ishte e paqëllimshme, sigurisht, por e organizuar dalëngadalë dhe mjaft mirë. Për këto arsye, Regjistrimi u shty vazhdimisht deri në arritjen e momentin të duhur organizativ dhe politik.
Sa për të përmendur edhe një fakt, nuk kishte asnjë organ llogaridhënës ose përgjegjës për Regjistrim. Ligji për Regjistrim nuk parasheh asgjë në këtë natyrë. Krejt organet e themeluara për Regjistrim ose organizojnë ose mbikëqyrin diçka, por askund në asnjë mënyrë a formë nuk shkruhet e nuk përcaktohet përgjegjësia dhe llogaridhënia për këtë Regjistrim. Dhe kështu, për kolapsin e Regjistrimit, po e përsërisë, ose po fajësohet Lëvizja Vetëvendosje ose regjistruesit në terren, ndërsa assesi organizatorët.
Organizatorët, sa për të përmendur, tashti e kanë hallin se ku t’i kalojnë pushimet verore.