Site icon Telegrafi

“Regjistrimi” i diasporës: Fajet i kanë deputetët!

Pas tri dekadave bëhet publikimi i regjistrimit të popullsisë në vendin tonë dhe në vend se tu jep fund debateve dhe dilemave të shumta rreth të dhënave demografike, realisht po ndodh e kundërta: po ngjallen debatet dhe diskutime në të gjitha mjetet e komunikimit, por njëkohësisht edhe pakënaqesitë me rezultatin e regjistrimit.

Sipas të dhënave zyrtare është bërë e ditur se shteti i Kosovës i ka 1 milion e 739 mijë e 825 banorë rezidentë. Kurse numri i përgjithshëm i ekonomive familjare është 297 mijë e 90 sish. Ndërkaq, numri i banesave është 412 mijë e 884 sosh.

Siç dihet, ky regjistrim i popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave është bërë në prill të vitit të kaluar dhe 92.93 për qind të popullsisë janë shqiptarë.

Të kthehemi në retrospektive në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, kur Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorëve. Po të krahasosh me regjistrimin e fundit, i bie qe në vendin tonë brenda këtyre 30 viteve është rritur popullsia për vetëm për 155.385 banorë.

Të gjithë jemi në dijeni për rënien e dukshme të numrit të lindjeve dekadën e fundit, ama po t’i thuash një individi të zakonshëm e jo me një intelektuali se brenda këtyre tri dekadave kemi rritje të popullsisë vetëm për mbi 155 mijë banorë është jo racionale. Erdhe po të mundoheshe që tërë kohën ta bindesh se ka rënie të natalitetit në 10 vitet e fundit, prapë nuk do të besojë sepse dhunon principet kryesore të racionalitetit të tij.

Kështu, atij individi, po t’i thuhej se në Kosovë për 30 vite është rritur numri i popullsisë vetëm për 155 mijë banorë, prapë ai do të mbante të njëjtin qëndrim edhe po të mos dinte se sa banorë kishte Kosova në vitet 80-ta. Sepse, gjithmonë jemi në kërkim të shkaqeve të cilat shpjegojmë ngjarjet në shkencat natyrore, sociale apo psikologjike. Pikërisht në saj të këtij principi racional u zhvillua edhe shkenca. Pa të, jo vetëm shkenca, por edhe racionaliteti ynë do të ishte në rrezik.

Paraqitja e rezultateve të regjistrimit të popullsisë nuk ndryshon fare nga kjo, duke u munduar qe të na bindin se nuk jemi as dy milionë. Por, cili është shkaku kryesor i gjithë kësaj katrahure?

Ligji për regjistrim, që është miratuar nga deputetet e Kuvendit te Kosovës e që mbanë numrin 03/L-237, saktësisht neni 3, pika 1.1, i pamundëson diasporës se Kosovës të jenë pjesë e statistikave të shtetit tonë. Në pjesën e parë të kësaj pike, e cila duket se prek pjesën më të madhe të mërgatës së Kosovës, flitet për regjistrimin e popullsisë rezidente, ku specifikohet se të drejtë për të hyrë në të dhënat statistikore të vendit kanë ata persona që kanë jetuar vazhdimisht për 12 muaj në Kosovë, para datës së fillimit të regjistrimit, “ose kanë arritur në atë vendbanim gjatë dymbëdhjetë (12) muajve para ditës së regjistrimit, me qëllim që të qëndrojnë aty më gjatë se një (1) vit”.

Sipas këtij ligji, ata qytetarë të Kosovës te cilët jetojnë në diasporë dhe kanë dashur të regjistrohen në Kosovë, është dashur të vijnë disa ditë para fillimit të regjistrimit të popullsisë dhe të qëndrojnë për një vit në vendlindje, që në praktikë duket të jetë tërësisht e pamundur.

Dhe, i gjithë faji që nuk janë regjistruar pothuajse rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në diasporë bie mbi deputetet e Kuvendit të Kosovës që kanë aprovuar një ligj i cili përjashton dhe diskriminon bashkatdhetarët tanë të cilët gjenden jashtë vendit.

 

 

 

 

Exit mobile version