Telegrafi

Regjisorja dhe aktorët e filmit “Një Tregim Prishtine” flasin për përshtypjet e para të filmit – premiera të premtën në Cineplexx

Pas suksesit të filmave të fundit kosovarë, si “Martesa”, “Diamanti” dhe “Nëntor i ftohtë”, filmi i radhës vendor që arrin në Cineplexx është “Një tregim Prishtine”, i cili trajton një temë shumë prekëse të realitetit tonë.

“Një tregim Prishtine” nga regjisorja e njohur Burbuqe Berisha, pasqyron realitetin kosovar me aktorët e dashur për publikun, Donat Qosja dhe Teuta Krasniqi.

Regjisorja e këtij filmi Burbuqe Berisha në një konferencë për media ka thënë se të gjithë ata që duan ta shohin një film për një luftë të nbijetesës sipas saj ky është filmi i duhur.

“Filmi ka të bëjë me përditshmërinë tonë, me varësinë tonë nga rrjetet sociale prej të cilave vijnë shumë sëmundje, po ashtu edhe në dimensionin e aferave korruptive nga të cilat jemi të rrethuar. Në muajin maj filmi do të rrugëtoj në Spanjë, ka qenë edhe në Itali. Ka qenë e vështirë të bëjmë ëktë film sepse është punuar me 35 mijë euro. Unë dhe Agroni kemi hequr dorë nga pagesat edhe kostumografja si dhe asistentja e regjisë, por kjo ka qenë për të mirën e filmit. Mirëpo kënaqësia është që kur e shohim që ka përfunduar filmi dhe është me sukses. Jemi munduar që ekipa të mos heq, e dimë që pagesat nuk kanë qenë të mëdha sepse ata meritojnë më shumë. Por gjithsesi nuk punohet kështu. Po ashtu filmi është punuar në Kosovë dhe është prodhim vendor 100%”, është shprehur ajo.

Skenaristja Getoarbë Mulliqi theksoi se ka pasur momente kur edhe ka qajtur duke e shkruajtur skenarin.

“E kam pasur një moment që e ka Donati me Artiolën që kur e kam shkruar kam qajt, sepse kam qenë duke e parë skenën. Kur e kam shkruar skenarin ka qenë para 4 viteve dhe nuk kam qenë nanë. Por kur ia dham dorën e fundit kam qenë shtatzan, dhe e kam përjetuar më vështirë sepse e kam vënë vetën në pozitën e prindit. Është e vështirë kur do të shkruash për disa tema. Skenari nuk e ndjek vetëm sëmundjen e vajzës, por edhe afërën korruptive nga e cila jemi të rrethuar, skenari është i bazuar në disa drejtimi. Jam e lumtur që është mishëruar në këta aktorë”, është shprehur ajo.

Aktorja Tetua Krasniqi ka thënë se ka qenë përgjegjësi e madhe për rolin që ka pasur.

“Është një dramë shumë e madhe familjare. Na e kemi zanatin e aktorit dhe pavarësisht çfarë role ofrohen nuk do të thotë të shkojmë në atë vvështirësi të skenarit, duhet hulumtuar mënyra që ta gjejmë. Ky rol ka qenë i prekshëm, sepse kur je prind edhe e mendon se si do ta përjetoj një prind është mjaft e rëndë. Sfida më e madhe ka qenë mosteprimi i emocioneve, është dashur t’i përmbajmë ato emocione që të mos i kalojmë vijat e kuqe që i duron filmi. E falenderoj regjisoren edhe skenaristen e po ashtu edhe Donatin që e kemi pasur një bashkpunim tejet të madh”, ka thënë ajo.

Edhe aktori Donat Qosja tha se rolin e tij në këtë film e ka parë si një rol që mund ta realizonte.

“Prej kur e kam marr skenarin e kam parë që mundet me qenë një projekt i suksesshëm. E kam parë si një rol shumë të mirë që ta realizoj. Nuk është rol i thjesht por më ka pëlqyer shumë si rol por edhe si projekt. Përfundimisht e kemi bërë një projekt të suksesshëm”, theksoi ai.

Premiera e këtij filmi në Cineplexx do të jetë me 15 mars prej orës 19:15. Biletat tashmë janë në shitje dhe mund t’i blini çdo ditë pas orës 15:00 në arkat e Cineplexx. /Telegrafi/