Telegrafi

Regjisori i ‘La La Land’, Chazelle, shpallet regjisori më i mirë i vitit

Regjisorët e Hollywoodit e kanë nderuar me çmim regjisorin e filmit La La Land, Damien Chazelle, duke shtuar edhe më shumë gjasat e filmit për çmimin Oskar.

Chazelle është shpallur regjisori më i mirë i vitit nga Shoqëria e Regjisorëve të Amerikës (DGA).

Viteve të kaluara, filmi i regjisorëve që e kanë fituar këtë çmim i kanë fituar edhe çmimet e Akademisë Amerikane të Filmit, Oskar, që këtë vit ndahen më 26 shkurt.

La La Land është nominuar 14 herë për Oskar, duke e arritur rekordin e filmit Titanik si ndër filmat me më së shumti nominime.

Lexo po ashtu “La La Land” me skena të vjedhura? (Video)

Njejtë siç po ndodh rregullisht së fundi, edhe kjo ceremoni është karakterizuar me fjalime politike që kryesisht cak i kanë vendimet e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Nuk do të qëndroja këtu pa imigrantët”, ka thënë presidenti i Shoqërisë së Regjisorëve të Amerikës, Paris Barclay në fjalimin hapës që u prit me ovacione nga të pranishmit.

Në këtë ceremoni, regjisori, Ridley Scott është nderuar me çmimin për vepër jetësore. /REL/