Regjisori Ridley Scott ka shkaktuar zemërim në Maltë duke thënë se nuk do e rekomandonte për pushime, pavarësisht se në këtë vend u xhirua filmi Gladiator 2.
Scott 86-vjeçar po diskutonte se sa tërheqëse ishte Malta si vend për xhirime me kolegun e tij regjisor Christopher Nolan këtë muaj, por në një moment i tha audiencës se ai nuk do ta rekomandonte për pushime, raportoi Business Insider.
Pavarësisht se lavdëroi Maltën, duke e quajtur “thesar të arkitekturës” me histori nga mesjeta deri në rilindje, ai bëri këtë gafë që siç duket ngjalli reagime të mëdha.
Johann Grech, i cili është komisioner i filmit në Maltë, ndau komentet pozitive të Scott për vendin, por duke shmangur pjesën kur thoshte se nuk e nënvizonte Maltën si destinacion pushimesh.
Komentet e regjisorit kanë zemëruar politikanët maltezë pasi qeveria pagoi 57 milionë euro si promovim që filmi të xhirohej në Maltë.
Julie Zahra, zëdhënësja e kulturës për partinë opozitare në parlamentin e Maltës, tha në Facebook se Grech ishte poshtëruar nga regjisori Scott dhe që duhej të jepte dorëheqje nga posti i tij.
Ajo gjithashtu e kritikoi komisionerin maltez që postoi vetëm komentet pozitive duke thënë se ai kishte cenzuruar dhe manipuluar atë që me të vërtetë është thënë.
Një anëtar tjetër i parlamentit të Maltës, Adrian Delia kritikoi regjisorin e famshëm, duke thënë se ai siç duket nuk ka mësuar respekt. /Telegrafi/