Telegrafi

‘Regjimi kishte frikë nga Kadare’

Ish-ambasadori shqiptar në Kinë, Vietnam dhe Francë gjatë viteve 1980, Maxhun Peka, në një intervistë për gazetarin Ilir Babaramo në “5 pyetjet nga Babaramo”, ka folur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Francën, prishjet e marrëdhënieve me Kinën, dhe imazhin e shkrimtarit Ismail Kadare në Paris.

Sipas tij, në kohën që ka shërbyer në Ambasadën shqiptare në Francë, i është krijuar përshtypja se ka qenë regjimi që ka patur frikë nga Kadare dhe jo e kundërta.

“Ministri francez nuk i pret ambasadorët, por mua më priti. Më tha që ishte i interesuar që të kishte marrëdhënie të mira me ne. Të jesh përfaqësuesi i një vendi të vogël e të varfër është e vështirë të jesh krenar, por figurat e mëdha që ka nxjerrë historia na kanë bërë të ndihemi krenarë. Kur isha në Francë, Kadare vinte për vizitë shumë shpesh. Asokohe, ftesat për Kadarenë vinin në Ambasadë. Unë nuk e di nëse Kadare kishte frikë nga regjimi, por unë krijova idenë se regjimi kishte frikë nga Kadareja. Vinin ftesat në Shqipëri dhe drejtoria politike trajtonte letrat. Shkruhej: ‘Mendojmë të mos refuzojmë ftesat për Kadarenë, se mediat franceze do të shkruajnë pastaj se Kadare po persekutohet në Shqipëri.’ Dhe ftesat kur i refuzonte, i refuzonte vet Kadare”, thotë ai. /Shqiptarja/