Site icon Telegrafi

Regjimi mund të shembet nga librat dhe e vërteta

Ilustrim

Nga: Bedri Islami

Një mbrëmje, shumë vite të shkuara, Moikomi më telefonoi dhe më tha se ishte nisur të vinte në Shkodër. Ishte fund-tetori, e njëzet e shtata, në njërën nga ato ditë kur dielli shndrin fort dhe ngroh pak, netët dukeshin të pafund dhe të fshehta, shirat ende nuk kishin ardhur, dhe, si rrallë herë, trëndafilat e bardhë kishin çelur të gjithë.

– I çuditshëm ky tetor – më tha porsa erdhi – zakonisht ky është muaji që çvesh drurët në të gjitha udhët, por kjo nuk është e trishtueshme.

Po flisnim për botën e librave. Disa vite më parë kishte botuar vëllimin poetik, “Miscellanea 6” dhe në faqen e parë kishte shkruar “Për Bedriun tim, ç‘korpus fantazmagorik, a thua, më kanë shteruar forcat, por jo përfytyrimet?”

Po pinim verë dhe piqnim gështenja. Dialogu me Moikomin zhvillohej në të njëjtën dhomë ku dëgjohej zhurma e zjarrit, gështenjat që piqen dhe rrëzimi i verës së kuqe në gota.

AI: Ka pasur gjithnjë një luftë të pandërprerë mes librit dhe rrjedhave historike dhe, si duket, edhe në vitet e mëpasshme ajo do të jetë përherë e pranishme. Ndoshta historia e përbotshme nuk është asgjë tjetër veçse historia e librit, ose e kundërta, historia e librit është historia e botës. Edhe te ne, historia e librit është në fakt historia e diktaturës. Ka një përplasje të vazhdueshme mes diktaturës, librit dhe individit.

Unë : Të gjitha konfliktet mes tyre, të gjitha kontrastet që për shfaqin nxitimthi apo duke u gdhendur rreptësishtë, arrijnë shpesh herë në një shkallë intensiteti të dhimbshëm, në të cilat gëzimi dhe dhimbja, e vërteta dhe sajesa, krijimi dhe e sakta, pikat ekstreme të sentimentit dhe thelbi i dëshmisë së saktë, fitojnë madhësi të reja, dhe, dashje pa dashje, diçka primitive dhe heroike ka në këtë përplasje.

AI: Dhimbjet e botës nuk kanë kujtesë. Homeri, në librin e tetë të Odisesë ka shkruar se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë që breznive të ardhshme mos t’u mungojnë për çfarë do të këndojnë.

Në njërin nga komeditë e tij, më duket se tek “Qezari dhe Kleopatra”, Bernard Shaw, njëri ndër më të mrekullueshmit krijues anglezë, thotë se biblioteka e Aleksandrisë ishte kujtesa e njerëzimit. E megjithatë, Jul Qezari, në momentin kur i thonë se po digjet kjo kujtesë njerëzore, përgjigjet vragshëm dhe shpotitës, „ lere të digjet, është një kujtesë poshtërsish“. Cila bibliotekë duhet “ të digjet” në Shqipëri? Altarët janë, por mesha nuk ka!

Unë: Para pak çasteve, në Historinë e Spanjës lexova për Al-Hakamin, njërin nga sunduesit myslimanë të Kordovës, shekulli i IX, asaj kohe qyteti më i madh në botë, pa dyshim më i shquari i kohës, se ai kishte në bibliotekën e tij më shumë se 400 mijë libra, shumë nga të cilët ishin nga tragjikët e lashtë grekë, poetët persianë, shkencë, astronomi, matematikë dhe se aty, për herë të parë, kishin hyrë numrat indianë, ata që përdor sot e gjithë bota dhe të cilët Evropa i mori pas një shekulli. Në Historinë e Spanjës është shënuar se Liria e mendimit i hap rrugë gjenisë krijuese njerëzore, të shpalosur në shkencë dhe filozofi, ndërkohë që shtohet blerja e librave nga islami lindor dhe Bizanti”.

Kur sunduesi kishte 400 mijë libra në bibliotekën e tij, që në fakt është biblioteka e parë madhështore e Perëndimit, qyteti i Kordovës kishte tre mijë shkolla, disa universitete, kishte biblioteka të tilla që nuk ishin parë që nga koha e lulëzimit të Aleksandrisë helene. Interesant është fakti se thuajse të gjithë diktatorët ndërtuan biblioteka të mëdha. Kjo bibliotekë e famshme e Kordovës më pas u dogj.

AI: Është interesant, por Jezu Krishti vetëm një herë shkroi disa fjalë në rërë, që më pas i prishi dhe u bë kështu predikuesi më i madh në të gjitha kohërat, por apostujt e tij shkruan gjithçka që ishte e duhura dhe fjala e tyre e shkruar mbeti. Nuk dua as ta mendoj se si mund të kishte qenë bota pa Veprat e Apostujve dhe Letrat e tyre. Me siguri, ndryshe nga kjo që kemi. Diktatorët, në vend që të ndërtojnë një urë, që çon përtej lumit, bëjnë një shtëpi, për t’u mbyllur brenda. Individi përballë turmës diktatoriale është i humbur, pavarësisht rezistencës së tij. Për të vdekurit nuk ka krishtlindje. Kur individi nuk është më një, kur përtej ekzistencës rritet shpejtësia e ëndrrës, kur mermeri skalit heronjtë e vrarë mes baltës, atëherë do të ketë rilindje. Rilindja, në radhë të parë, vjen përmes mendjes. Një ilir i ditur, ndër më të diturit e kohës së tij, i guximshëm dhe pasionant, filolog dhe shkrimtar gjenial, Euseb Hieronimi ishte përkthyesi i parë i Biblës në latinisht, të quajtur si varianti kanonik me emrin Vulgata, që u bë substancë kulturore për tërë qytetërimin e Evropës Perëndimore.

Përkthimi i Heronimit në shekullin IV të erës sonë, do të ndiqej nga një tjetër shqiptar i ditur që sjell në ”të bukrën gjuhën tonë”, librin e shenjtë, prifti katolik arbëresh, ipeshkëv i dy dioqezave në Shqipërinë Veriore – shekulli XVI – Gjon Buzuku. Në të njëjtën kohë kur Martin Luteri e përkthente atë në gjuhën gjermane. Meshari i Buzukut i përkthyer në gegnishte, ku mrekullisht artikulohen fjalët “gluhë“ dhe “klaj“, jo rastësisht të krijon ndërlidhjen mes trevave shqiptare, midis tij dhe Jugut të Shqipërisë dhe Çamërisë epirotase, trevave molose, ku akoma edhe sot me një këmbëngulje titanike para dhe pas buzukiane dëgjohen fjalët e pashtershme në amshim: “glu“ dhe “klaj“.Meshari, libri i parë i botuar në gjuhën shqipe, është dëshmia e pafundme e shpirtit të një njeriu të fuqishëm në mendimin e tij.

Në më pak se 10 muaj, nga 20 marsi 1554 dhe deri në 5 janar 1555, Buzuku ngriti monumentin e parë të gjuhës shqipe, por edhe ndryshoi rrjedhë historike të shkrimit të saj.

Unë: Libri i Buzukut, duke qenë edhe libri i parë i njohur në gjuhën shqipe, është në të njëjtën kohë edhe libri i parë i shpërndarë ilegalisht në trevat shqiptare, sidomos ato të Veriut të saj; rrezikshmëria e shfaqjes së tij ishte dehëse, por edhe dëshmuese e një tradite të mëhershme në të shkruarit e gjuhës shqipe; më tepër se një frymëzim fetar është një thirrje kushtrimtare dhe mos bjerrje e shpresës së krishterimit shqiptar. Por, edhe të idesë së qëndresës. Ai i donte njerëzit dhe u dëshmonte jetën. Jeta mund të jetë edhe në anën tjetër të vdekjes, por jo në anën tjetër të dashurisë.

AI: Buzuku është në të njëjtën kohë kalorës i gjuhës shqipe, por edhe kalorës i lirisë së popullit të tij; përmes 2Mesharit“ ndodh çlirimi i parë i gjuhës shqipe nga anonimati, dalja e saj në një fushë lirie. Hakmarrja ndaj tij do të jetë e furishme; është libri i parë i gjuhës shqipe që do të digjet për të ruajtur vetëm një kopje në arkivat e Vatikanit, çka të sjell ndër mend dhjetëra e qindra vepra të prelatëve katolikë të Veriut shqiptar, por edhe të trevave të tjera, librat e të cilëve u ndaluan, u sekuestruan, u dogjën dhe u mohuan. Ajo që ndodhi në Shqipëri, pas dhjetorit 1944 , me veprat e prelatëve të lartë dhe të ditur katolikë shkurtoi këmbët e së nesërmes.

Gjon Buzuku është i pa varr, askush nuk e di vendprehjen e fundit të tij. Është synuar të hidhet në greminën e Harresës, të ketë ndëshkimin fatal, vetëm pse guxoi dhe shkroi në gjuhën shqipe. Por, fjalët që shkoi në Librin e tij mbetën. Libri “Meshari“ është zanafilla e universit të botës shqiptare.

Unë: Pjetër Bogdani, prelati i lartë katolik shqiptar, njëri nga mendjet më të ndritura të Përlindjes shqiptare dhe Kryengritësi i madh, eseist i shkëlqyer, do të shkruante për studentët e Kolegjit të Padovës, të cilët i quan ”Qitrot e rinj të Libanit me degët e zgjeruara të tij, të lulëzuara me dije dhe të vërtetën e fjalës, të rrënjosura për mrekulli në të gjitha shkencat hyjnore dhe humane”, ndërsa për botimin e librit të tij të shkruar e quan të dobishëm për “arsimimin e njerëzve, me shenjat e shtypit hyjnor”. Çeta e Profetnve e tij është libri shënjues i kohës. Gjithnjë ka pasur një lidhje mes qenies dhe mosqenies, mes të vërtetës dhe të rremes, ashtu si mes dhunës dhe qëndresës.

AI: Në shakullimën e mesviteve 1950, Shqipëria ndodhej para se panjohshmes: vdekja e letërsisë së saj; më keq akoma, krijimit të një letërsie amorfe, pa vlerë, të izoluar, shterpë. Shkaqet dihen.

Çfarë do të thotë të vdesë një letërsi, të shpërfytyrohet ajo, të bëhet e gjëmshme? Nëse do të duhej një apostull i saj Shqipëria gjeti më të mirin e mundshëm, një jugor që është joshur nga Veriu, Ismail Kadare. Jeta e Kadaresë nuk i përngjan një romani tragjik, përjetimi i tij shkon drejt tragjikes. Ai nuk ngjet, të themi, me asnjë nga staturat e Testamentit të vjetër, por është në zanafillë të një bote tjetër më shumë në perandorinë e artit; ai nuk bie në humnerat më të thella, megjithëse u shkon pranë, iu tregon njerëzve greminën, por nuk shtyn askënd drejt saj; ai sjell pamatësinë e tij tek njerëzit e matshëm, duke ndjellë tek ata dëshirën e pamatësisë së tij. I nisur nga Sokaku i të Marrëve, një udhë e gurtë si gjithçka në atë qytet, me kthesa e shtëpi të rrëpirëta, ai nis të ndërtojë ekzistencën e një kombi dhe këtë e bën përmes librave të tij. Në fakt, librat e tij janë thelbi i rikthimit të botës shqiptare nga e mbara. /Gazeta “Dita”/

 

 

 

Exit mobile version