Telegrafi

Refuzuan t’i kërkojnë falje Putinit, të burgosurit rusë të përfshirë në shkëmbim me konferencë shtypi në Gjermani

Figura të opozitës ruse të përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe vendeve perëndimore së fundmi iu drejtuan shtypit në Bon të Gjermanisë, duke ndarë shpresat e tyre për një Rusi të ndryshme dhe duke u zotuar për të vazhduar aktivizmin e tyre.

Bëhet e ditur se disidentët rusë që u liruan në shkëmbimin më të madh të të burgosurve Lindje-Perëndim që nga Lufta e Ftohtë mbajtën një konferencë shtypi në Bon, Gjermani.

Të burgosurit, të cilët ishin liruar një ditë më parë, diskutuan detajet e shkëmbimit, ndjenjat e tyre pas lirimit dhe planet e tyre për të ardhmen.

“Të kuptosh se je liruar sepse është liruar një vrasës është e vështirë”, tha Ilya Yashin, politikan i shquar i opozitës dhe kritik i Kremlinit, i cili po vuante një dënim prej tetë vjet e gjysmë për kritikimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ndjej një barrë shumë të rëndë sepse shokët e mi mbeten pas hekurave”, shtoi ai.

Yashin, ish-anëtar i një këshilli bashkiak të Moskës, ishte një nga aktivistët e paktë të njohur të opozitës që qëndroi në Rusi që nga pushtimi në Ukrainë.

Ai ka thënë se nuk ka dashur të shkëmbehet, me argumentin se zëri i një kritiku të Kremlinit është më i fuqishëm në Rusi sesa jashtë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Më së shumti dua të shkoj në shtëpi tani. Dëshira e parë, kur e pashë veten në Ankara, në Gjermani, ishte të shkoja menjëherë në aeroport dhe të kthehesha në Rusi”, tha Yashin.

Ai shtoi se oficeri rus i inteligjencës që e shoqëroi në fluturimin për në Ankara i tha atij se nëse ai kthehet në Rusi, do të arrestohet dhe “do të përfundojë si Alexei Navalny”.

Por, pavarësisht rreziqeve, opozitarët u zotuan të vazhdojnë të angazhohen në aktivitete politike.

Sipas Yashin, shkëmbimi paraqet një dilemë, pasi ai beson se ky veprim do ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin, të marrë më shumë pengje.

Ndërkohë, Vladimir Kara-Murza, një shtetas i dyfishtë ruso-britanik dhe politikan i shquar i opozitës, i dënuar me 25 vjet për tradhti dhe akuza të tjera, tha se gjatë kohës sa kishte qëndruar në burg kishte qenë në gjendje të fliste me familjen e tij vetëm tre herë.

“Ata nuk po na godasin vetëm ne, por edhe familjet tona. Dhe ata e bëjnë këtë qëllimisht”, tha Kara-Murza.

“Na nxorrën nga burgu, na hipën në një autobus, u ngarkuam në një aeroplan dhe na dërguan në Ankara”, shtoi ai, duke thënë se ai ishte shkëmbyer nga Rusia pa pëlqim.

Ai theksoi se qindra rusë mbeten në burg për kundërshtimin e luftës në Ukrainë dhe u bëri thirrje atyre të mos besojnë propagandën e Kremlinit.

Përpara shkëmbimit, Kara-Murza po vuante 25 vjet në një koloni penale në qytetin siberian të Omsk, me një dënim për tradhti që shihej gjerësisht si i motivuar politikisht pasi u arrestua në prill të vitit 2022.

Kara-Murza u sëmur në vitin 2015 dhe 2017 nga helmimet thuajse fatale, për të cilat gruaja e tij e akuzoi Kremlinin.

Ndryshe, gjatë konferencës së parë për shtyp që nga lirimi, të burgosurit politikë treguan se kanë refuzuar t’i kërkojnë falje Putinit.

Prandaj, ata argumentojnë se u dëbuan nga Rusia kundër kushtetutës që ndalon dëbimet e qytetarëve rusë pa pëlqimin e tyre.

“Do të vijë me siguri dita kur Rusia do të bëhet një vend i lirë, normal, i qytetëruar evropian dhe nuk kam absolutisht asnjë dyshim se kjo ditë do të vijë. Le të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta afruar atë ditë”, tha Kara-Murza.

Siç raportohet, Rusia liroi 15 persona në shkëmbim, gazetarë, aktivistë politikë, shtetas amerikanë dhe gjermanë, shumica e të cilëve janë burgosur me akuza që shihen gjerësisht si të motivuara politikisht. /Telegrafi/