Ky është momenti kur një grua myslimane filmon një burrë që e sulmon verbalisht dhe fizikisht, pasi ajo i thotë se ka “të drejtë” të mos bartë hixhab.
Ngjarja ndodhi në një rrugë në Teheran të Iranit, ku shfaqet një burrë i cili vazhdimisht ia bën me dije gruas së duhet t’i ‘bindet urdhrave’ të tij, transmeton Telegrafi.
Kalimtarët e rastit dhe shoferët tjerë duket se përkrahnin gruan të cilët vazhdimisht i binin borive, ku madje njëri prej tyre dëgjohet duke thënë se “përkrahin gruan e revolucionit”.
Dhe kur ky burrë i kërkoi asaj të bartë shami, gruaja e paemëruar dëgjohet duke i thënë se do ta bartë ‘kur ajo mendon se duhet bartur’.
Por situata sa vinte e tensionohej, ku ky burrë i drejtohej me termin “motër” derisa ajo i kundërpërgjigjet, duke ia bërë me dije që mos ta quaj “motër”.
Ai në një moment e kërcënon se do ta thërras policinë, por ajo ishte këmbëngulëse dhe nuk i trembej syri duke i insistuar që ai ta bëjë një gjë të tillë.
“Nuk më pëlqen mbulesa”, dëgjohet ajo duke thënë. “Nuk dua ‘t’i bindem urdhrave tuaj. Është e drejtë e imja të bëjë çfarë të dua. Largohu, sepse më pëlqen vetja pa mbulesë”.
Pas mosmarrëveshjes dy minuta e gjysmë, ai në një moment humb durimin del nga vetura dhe e godet shuplakë gruan. /Telegrafi/