Site icon Telegrafi

Refuzoi 21-shin, kërkon më shumë fitore në BIBL

Sigal Prishtina në stinorin vjeshtor në Ligën Ballanike shënoi pesë fitore dhe pësoi dy humbje. Skuadra prishtinase është optimiste se me rezultate do të vazhdojë edhe në pranverë. Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi, është shprehur se ndeshjet nuk do të jenë të lehta, por është optimist se do të vazhdojnë me fitore. “Do të kemi ndeshje të vështira me Levskin si mysafir, pastaj me Kumanovën në Prishtinë e më pas edhe me Balkanin. Do të mundohemi të arrijmë rezultate pozitive. Kemi një skuadër shumë të mirë, andaj jam optimist se mund t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Azemi për ‘Sport Plus’. Prishtina stërvitjet i ndali vetëm për disa ditë, duke i vazhduar më 3 janar. “Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Nuk kemi probleme dhe po përgatitemi për stinorin pranveror. Fillimisht kemi disa ndeshje në Ligën Ballkanike e më pas në ETC Superligën e Kosovës në basketboll”, theksoi kapiteni i Prishtinës.

Kontaktet me 21-shin

Ai ka zbuluar edhe kontaktet që ka pasur me RTV 21. “Kemi pas kontakte para dy muajsh, por asgjë nuk ka ndodhur. Unë nuk mund të huazohem. Kam kontratë me Sigal Prishtinën dhe do të vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre. Nuk mundi të shkëpusë kontratën të cilën e kam vazhduar gjatë verës. Interesimi i tyre ka qenë, por nuk ka diçka më shumë”, ka përfunduar Edmond Azemi.

Prishtina stinorin vjeshtor në ETC Superligën e Kosovës në basketboll e përfundoi në vendin e dytë me pikë të barabarta me Pejën lidere me nga 27 pikë. Dy skuadrat shënuan nga 13 fitore dhe pësuan nga një humbje që ia shkaktuan njëra-tjetrës. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version