Site icon Telegrafi

Refuzohet emërimi i myslimanes për kryeministre të Rumanisë

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis ka refuzuar kërkesën që kryeministre e vendit të emërohet Sevil Shhaideh, e cila është me origjinë tataro-turke, nga partia fituese e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit në Rumani, Partia Social Demokratike (PSD), raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e tij, Iohannis ka thënë se “i ka peshuar me kujdes debatet rreth asaj se a duhet Sevil Shhaideh të emërohet kryeministre” dhe se ka marrë vendimin që deputetja me origjinë tataro-turke të mos parashtrojë kandidaturën për kryeministre.

Presidenti i Rumanisë i ka bërë thirrje PSD-së të propozojë emër të ri për postin e kryeministrit.

Ndryshe, lideri i PSD-së, Liviu Dragnea, javën e kaluar njoftoi se për postin e kryeministrit propozon deputeten tataro-turke Sevil Shhaideh.

Propozimi i Dragneas në median rumune ishte transmetuar si lajm i jashtëzakonshëm, ndërkohë që kishin filluar komentet se në rast të emërimit të Sevil Shhaideh në pozitën e kryeministres në Rumani për herë të parë vendi do të kishte një kryeministre femër, myslimane dhe tataro-turke.

Sevil Shhaideh, e cila është në lidhje familjare me profesorin e historisë Kemal Karpat, në vitin 2012 ka patur pozitën e sekretares shtetërore ndërsa në vitin 2015 ushtroi funksionin e ministres së Zhvillimit në qeverinë e Victor Pontas.

Sipas rezultateve zyrtare të Byrosë Qendrore Zgjedhore të Rumanisë, në zgjedhjet parlamentare Partia Social Demokratike (PSD) arriti të marrë 45.47 për qind të votave duke siguruar 154 mandate, ndërsa në zgjedhjet për senatorët ajo arriti të marrë 45.67 për qind të votave dhe të sigurojë 67 senatorë.

Nga ana tjetër, Partia Nacionale Liberale (PNL) arriti të sigurojë 69 deputetë dhe 30 senatorë, kurse Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve siguroi 20 deputetë dhe nëntë senatorë.

Pas shpalljes së rezultateve, lideri i PSD-së Dragnea deklaroi se do të formonte koalicion me ADLE-në.

Në vitin 2000, Iohannis u zgjodh kryetar bashkie i qytetit Sibiu në të cilin jeton një pakicë gjermane, ndërsa në periudhën 2002-2013 ai ushtroi detyrën e kryetarit të “Forumit Demokratik të Gjermanëve në Rumanisë”.

Iohannis me origjinë gjermane, në vitin 2014 mori përsipër postin e liderit të PNL-së ndërsa më 16 nëntor të vitit 2014 u zgjodh presidenti i parë i Rumanisë që vjen nga një pakicë.

Exit mobile version