Site icon Telegrafi

Refresh referendumi i Luginës

Ndryshimi i veprimit politik dhe unifikimi i faktorit politik të Luginës rreth një projekti të përbashkët për ndërprerjen e gjendjes jo të kënaqshme dhe përmirësimin e dukshëm të saj garanton rezultatin e lidershipit të Luginës.

Sa herë që vijnë dhe shkojnë përvjetorët e Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, atëbotë kur shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht Kosovës Lindore kishin shpallur autonominë e tyre me të drejtë bashkimi me Kosovën dhe sa herë që lidershipi i saj dëshiron t’i “sensibilizojë” problemet e shqiptarëve të këtij rajoni dhe çështjen e tyre të pazgjidhur, tashmë sikur e kanë gjetur formulën e zgjidhjes, dhe vetëm me një refresh të kësaj ngjarjeje gjithçka mund të konsiderohet si e përfunduar.

Jo vetëm kaq, përpjekjet e tyre, sidomos pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Konçulit ishin të pamjaftueshme, që njëmend të angazhohen në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të saj dhe jo rastësisht ky regjion është ndër më të pazhvilluarit në Serbi, por edhe në rajon. Ky problem nuk ka lëvizur që nga Marrëveshja e Konçulit, edhe pse kjo ka obliguar këtë lidership, Beogradin, por edhe Bashkësinë ndërkombëtare që në mënyrë paqësore të zgjidhin të gjitha problemet e hapura të Luginës.

Për fat të keq, lirshëm mund të thuhet se ky proces politik prej kësaj kohe kishte stagnuar dhe pësuar një degradim të dukshëm në raport me Beogradin. Kjo erdhi si pasojë e mungesës së një strategjie të përbashkët të këtij faktori karshi Beogradit dhe Bashkësisë ndërkombëtar, frikës dhe mungesës së vullnetit politik për projekte serioze kombëtare, neglizhimit të tyre, si dhe për shkak pazareve të ndryshme personale e grupore. Ky lidership në vend të realizimit të synimeve nacionale dhe çështjeve jetike për qytetarët e Luginës krejt energjinë politike e kishte harxhuar në realizimin e interesave të ngushta partiake.

Padyshim, se kësaj situate në masë të duhur i ka dhënë tatëpjetën edhe indiferenca e faktorit politik në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët këtë çështje e trajtojnë si problem periferik. Deri më tani Tirana dhe Prishtina nuk kanë dhënë ndonjë fakt serioz për një investim të duhur dhe të nevojshëm në Luginë nga çdo pikëpamje. Kjo çështje është lënë në mëshirë të Beogradit dhe Bashkësisë ndërkombëtare. Beogradi në vend të ofrimit të alternativave për zgjidhjen e problemeve, ajo ka militarizuar këtë rajon duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe njëherësh ka krijuar imazhin e një rajoni jo të sigurt dhe të paperspektivë. Për këtë qëllim është ndërtuar një bazë ushtarake në Cepotinë të Bujanocit dhe kjo nënkupton sundim të rajonit me forcë.

Tashmë, për veç kësaj Lugina po përballet me një krizë të madhe ekonomike, papunësi të madhe, lëvizje e kufizuar me Kosovën për shkak të tarifave të larta të sigurimit, mungesa e shkollimit të lartë, çështja e pazgjidhur e simboleve kombëtare, largimi i ndjeshëm i banorëve të saj nëpër vendet evropiane, etj.

Tani, Lugina gjendet pranë një zbrazje të madhe nga popullsia e saj shqiptare në mungesë të një perspektive totale, sidomos për të rinjtë e saj. Edhe pak ato objekte prodhuese që ishin në të kaluarën, tashmë janë shitur dhe nuk ka asnjë investim serioz të këtij shteti në këtë rajon. Kjo popullatë burim kryesor të jetesës e ka bujqësinë dhe kurbetin, të cilët në numër janë mjaft të madh.

Të gjitha këto probleme shkaktojnë një pakënaqësi të madhe qytetare dhe vetëm nga Presheva me rrethinë për çdo javë ikin në drejtim të perëndimit me dhjetëra të rinj shqiptarë, sepse kjo gjendje është bërë e padurueshme. Kjo zbrazje e Luginës nga shqiptarët është “ndimesa” më e mirë që i bëhet një projekti ogurzi serb, i cili fatkeqësisht ka bashkëfajtorët e tij të politikës shqiptare.

Prandaj, kjo është koha e fundit që faktori politik i Luginës të këndellet dhe të unifikohet rreth një projekti të përbashkët në radhë të parë për ndaljen e përkeqësimit të kësaj gjendjeje, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve aty ku më së shumti ka nevojë, si dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve të tyre jetike. Kjo, jo vetëm që është detyrë e tyre, por është edhe obligim kombëtar, sepse në të kundërtën kjo trevë etnike shqiptare rrezikohet të shndërrohet në një tokë të harruar nga banorët e saj shqiptarë, si për fajin e lidershipit të tyre, të Beogradit, por edhe të tjerëve.

Pra, duhet të shtohen përpjekjet e tyre për punë më të madhe dhe me projekte konkrete në mënyrë që ky rajon të mbijetojë dhe jo të bëjnë refresh të referendumit për nevoja të mbetjes së tyre nëpër kolltukë dhe të mbijetojnë edhe mëtutje në skenën politike për hesape të ngushta.
 

Exit mobile version