Reformimi i partive mbetet ende sfidë në Kosovë. Mungesa e demokracisë së brendshme, njerëzit e akuzuar për korrupsion e krim janë vetëm disa veti me të cilat identifikohen partitë politike në Kosovë.
Por, kandidati për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po synon që të bëjë një reformë të madhe në këtë parti, nëse merr besimin e Këshillit Drejtues për ta udhëhequr këtë parti.
Mirëpo, Veseli do të ketë sfida të mëdha, sipas analistëve, për ta bërë këtë meqë PDK-ja aktualisht identifikohet me një qeverisje të keqe, ku zyrtarët e saj janë akuzuar për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, ikje nga drejtësia, e tjera.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, gjatë kësaj kohe sa po lobon për ta marrë drejtimin e partisë në Konventën e 7 majit, ka theksuar vazhdimisht se do të jetë një udhëheqje ndryshe dhe se ata që kanë probleme me ligjin duhet të largohen nga politika. E, kjo sikur u drejtohej bashkëpartiakëve të tij që kanë probleme me ligjin, duke ua rikujtuar se nuk do të mbrohen që të përgjigjen para drejtësisë nëse shkelin ligjin.
Por ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, thotë për gazetën “Zëri” se nuk dyshon në vullnetin e Veselit, por dyshon në aftësinë dhe mundësitë që ta bëjë këtë, meqë kjo parti nuk mund të lavdërohet me qeverisjen e saj.
“Nuk dyshoj në vullnetin, por dyshoj në aftësitë dhe mundësitë reale që megjithatë ta futë një frymë të re në një parti, e cila tashmë është e shtresuar me një filozofi të caktuar qeverisëse që ka krijuar një përvojë të qeverisjes ndryshe të shtetit, që nuk mund të lavdërohet me respektimin e institucioneve, të ligjit dhe të demokracisë”, ka thënë Vllasi, sipas të cilit reforma në këtë parti do të jetë e vështirë. “Unë nuk dyshoj në vullnetin dhe dëshirën e Veselit që të bëjë reforma brenda PDK-së. Megjithatë, Veseli është i të njëjtës shkollë politike si Thaçi e të tjerët në PDK, ashtu që për reforma rrënjësore të brendshme, jo vetëm në PDK, por në secilën parti politike besoj vetëm në forca të reja të një shkolle krejtësisht tjetër politike”, është shprehur ai. /Zëri/