Site icon Telegrafi

Reformimi i debatit

Dështimi apo suksesi i proceseve shoqërore jo rrallëherë, përveç faktorëve të ndryshëm, është rezultat apo produkt i debateve. Për të thënë, shprehur, prononcuar apo definuar një çështje apo proces shoqëror, është i nevojshëm debati.

Debati sjell sqarime të kauzaliteteve të përgjithshme të cilat e rëndojnë shoqërinë për ta orientuar masën e gjerë për të sotmen apo për një vizion të ardhshëm. Me këtë përcaktim, debati në vetësinë e saj për proceset apo çështjet specifike të shoqërisë, ka intencë të konkretizojë sfidat dhe të përgatis një shteg për zgjidhje afatgjate dhe të pranueshme në një shkallë të kënaqshme nga popullata. Debati është bërthama e demokracisë dhe pa hezitim mund të thuhet se pa debat nuk do të kishim sistem të demokracisë.

Me instalimin e sistemit të demokracisë në Kosovë, u hap edhe në Kosovë mundësia për të diskutuar, krijuar opinione e debatuar për të gjitha shqetësimet, brengat, dëshirat e objektivat e shoqërisë sonë. Forume debatuese janë krijuar dhe popullata tani përmes këtyre debateve po përcjell zhvillimin e proceseve më afër.

Mirëpo, debati i ka format dhe kriteret të cilat duhet të marrin formën e përafërt me modelet debatuese të vendeve përparuese. Pra, mënyra e debatit është një çështje që duhet të kultivohet pasi ne kemi pasur mungesë për avancim në këtë pikëpamje.

Qasja e debatit është një tjetër aspekt që mishërohet në proceset shoqërore e që mund të matet nga prodhimi i efekteve të saj. Pikërisht për këtë, aftësia për një debat të qartë e me një substancë është tejet relevante për gjithë shoqërinë. Nevoja e debatit është shpeshherë e kërkuar, por mund të shndërrohet në domosdoshmëri kur është fjala për çështje kruciale.

Mekanizimi i debatit ka një rëndësi të drejtpërdrejtë se si zhvillohet i gjithë debati. Rëndomtë, set i pasur i debateve në vendet perëndimore është përzgjedhja e njerëzve që kanë një përvojë të gjatë në lëmenj apo fushën përkatëse të debatit, dhe përveç përvojës profesionale kanë edhe përvojën e fituar nga vetë sfidat jetësore. Kështu që eksperienca jetësore llogaritet si pjesë e virtyteve morale dhe pa këto virtyte nuk mund të llogaritet ndonjë individ të participojë apo të jetë pjesë e një debati në rrethana të caktuara e çështje të ndërlikuara të shoqërisë.

Në rrethana të tilla, nisja e debatit duhet të ketë një qasje që i paraprinë produktit apo rezultatit. Pra, pozicionimi rreth një çështje shoqërore duhet të konkretizohet dhe të shpalosen distikcionet diferenciale në mënyrë që të sjellin specifikat e alternativave përmes argumentimeve bindëse.

Përputhëshmëria në mes të qasjes dhe demonstrimit të debatit ndihmon që proceset shoqërore të mos devijohen. Pra, debatit e formëson apo e disiplinon sjelljen përmes influencimit të pjesëtarëve të një shoqërie në mënyrë të natyrshme.

Natyrisht, inkurajimi i emulacionit në debat është i nevojshëm, por duhet të jetë i bazuar në profesionalizëm, si dhe në bagazh nga përvoja empirike që i jep kuptim dhe domethënie më përmbajtjesore debatit.

Rrjedhimisht, një debat pa vizion dhe qëllim është i katandisur të quhet llafomani. Pikërisht, për ta evituar një katandosje të rrjedhës së një debatit në llafamani, duhet të jemi të përgjegjshëm në konstelacionin e debatuesve.

Gjithashtu, gjithherë duhet të jemi të kujdesshëm që fijen e perit të debatit ta nxjerrim nga lloji i sistemit që e kemi dhe nëse jemi konsekuent në këtë pikë, atëherë e kemi më lehtë që të formësojmë debatin.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se vlera e formës së debatimeve është konsideruar dhe konsiderohet si fondament në demokracinë deliberative dhe është betonuar se pikërisht në debate duhet të sillet argumentim i fortë, i qëndrueshëm, i faktuar. Nga debati parashihet të gdhenden mirë normat të cila pastaj me butësi pranohet nga të gjithë. Në këtë lloj debati tejkalohen interesat unilaterale dhe konfliktet me prapavija dhe arrihet shmangie e pretendimeve me tendenca.

Në këtë mënyrë mbrohet qëllim për dizajnim të kornizës për debate të lira, por kredibile dhe në të mirë të të gjithëve. Prandaj, ky lloj modus operandi është çelësi i reformimit të debatit në Kosovë!
 

Exit mobile version