Site icon Telegrafi

Reformimi i arsimit zbut papunësinë në Maqedoni

Ekspertët vlerësojnë se papunësia afatgjate mund të zbutet me përgatitjen e kuadrove që kërkohen në tregun e punës, edhe atë në sistemin formal të arsimit të mesëm dhe të lartë që duhet të reformohet, programeve për fitimin e kualifikimeve dhe shkathtësive në bazë të kërkesë në tregun e punës si dhe nxitjen e mësimit gjatë gjithë jetës, shkruan Koha.mk.

Problemi kryesor i tregut të punës në Maqedoni është mos-harmonizimi midis profileve arsimore dhe kuadrit që kërkohet në tregun e punës. Problem tjetër është se në raport me vitin 1991, tani 24 vite më vonë është trefishuar numri i studentëve, ku me 75 për qind dominojnë maturantët e regjistruar në shkencat shoqërore në raport me 25 për qind të maturantëve të regjistruar në shkencat natyrore.

Ekspertët vlerësojnë se papunësia afatgjate mund të zbutet me përgatitjen e kuadrove që kërkohen në tregun e punës, edhe atë në sistemin formal të arsimit të mesëm dhe të lartë që duhet të reformohet, programeve për fitimin e kualifikimeve dhe shkathtësive në bazë të kërkesë në tregun e punës si dhe nxitjen e mësimit gjatë gjithë jetës.

Sipas profesorit universitar, Predrag Trpevski, duhet të ofrohet zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për problemin e papunësisë dhe jo zgjidhje të përkohshme, që vetëm zbusin apo anulojnë shkaktarin e problemit. “Nevojitet hapja e shkollave universale për kualifikim profesional në qytetet mbarë vendit, që për shpejtë kohë do të mundësojnë rikualifikimin e të papunëve. Në këto shkolla mësimi do të zhvillohet për 3, 6 apo 12 muaj për kualifikimet që kërkohen në tregun e punës.

Nevojitet të definohen edhe grupet e ndjeshme që janë të papunë në periudhë afatgjate, si dhe ato që rrezikohen të humbin punën në bazë të përkatësisë gjinore, moshës, asaj etnike dhe fetare, si dhe personat me aftësi të kufizuara që të definohen masa më efikase për uljen e problemeve që i tangojnë ato”, thekson Tërpevski.

Sipas tij, prioritet janë edhe avancimi kadrovik dhe financiar i punës së qendrave për karrierë nëpër universitetet, që në praktikë funksionojnë me vështirësi, si dhe formimin e qendrave të ngjashme në shkolla të mesme, që do të orientojnë të rinjtë drejt shkathtësive që kërkohen në tregun e punës. Kërkohet edhe bashkëpunimi më i madh midis biznesit dhe ministrive të ekonomisë dhe arsimit dhe odave ekonomike për të harmonizuar plan-programet në favor të tregut të punës. Kjo u theksua ndër të tjerash në debatin për tregun e punës në Maqedoni dhe rolin e sindikatave, në organizim të Fondacionit Friedrich Ebert.

Gjithashtu në debat u theksua se niveli i drejtave të punëtorëve në Maqedoni është mjaft i ulët, andaj nevojitet përforcimi i sindikatave si institucion që mund të mbrojë dhe avancojë të drejtat e punëtorëve. “Në 25 vitet e fundit në Maqedoni janë shkelur mjaft të drejta të punëtorëve dhe jo vetëm që ato nuk avancohen, por mbrojtja e tyre paraqet sukses. Për një gjë të tillë nuk ekziston shkop magjik, por kryesorja është që sindikatat të kthejnë besimin e punëtorëve, pasi ato nuk ju besojnë atyre. Kjo kërkon edhe angazhimin e vetë punëtorëve, pasi për shembull një grevë është e suksesshme nëse mbi 70 për qind e punëtorëve marrin pjesë në të”, thotë profesori universitar Zdravko Savevski.

Sipas tij, sindikatat në Maqedoni janë në pozitë të nënshtruar në raport me partitë politike dhe shpesh janë edhe të kontrolluara dhe instrumentalizuara prej tyre. Nga ana tjetër, në debat u theksua se punëdhënësit duhet të stimulohen me lirimin e pagesës së tatimit dhe mbulimin e 30 për qind të mjeteve të investuara nëse investojnë në burimet njerëzore.

Propozohet edhe përforcimi teknik dhe financiar i shkollave të mesme profesionale përmes furnizimit të tyre me pajisje që ju nevojitet për realizimin e mësimit si dhe me investimin në përsosjen profesionale të kuadrit ekzistues arsimor. Ndryshe, ky është debati i dytë në ciklin e dhjetë debateve kushtuar zgjidhjeve që do të ofrohen për një pjesë të problemeve ekonomike dhe sociale në Maqedoni e që mbështeten nga fondacioni Friedrich Ebert./Telegrafi/

Exit mobile version