Një varg reformash janë iniciuar këto vitet e fundit në Kosovë. Ato kanë përfshirë reformën e administratës publike, reformën zgjedhore, sistemin e drejtësisë, arsimit e të tjera. Por, sipas shoqërisë civile, këto reforma, pavarësisht formimit të grupeve punuese e prezantimit të strategjive për fushat adekuate, nuk janë zbatuar në praktikë dhe kanë mbetur vetëm reforma në letër.
Përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritar, thonë se interesat e ndryshme politike po zvarrisin të gjitha këto procese. Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Fol”, Mexhide Demolli, thotë se të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovë, kanë folur për reforma, nisur nga arsimi, shëndetësia, administrata publike por, deri më tash ato nuk kanë përfunduar punën.
“Ajo që ne si qytetarë e shohim dhe ballafaqohemi çdo ditë,na tregon se janë shume larg këtyre reformave. Sa i përket anës legjislative edhe mund të jemi mirë në këtë drejtim, por ato ligje duhet zbatuar dhe jo të mbesin vetëm në letër. Në vendet e zhvilluara, reforma të rëndësishme të shtetit janë kryer në favor të informatizimit dhe zbatimit të parimeve të ‘qeverisjes së mirë’, e te ne kjo është ende larg”, tha Demolli.
Kurse, Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se në sektorë të caktuar vitalë të Kosovës flitet për reforma dhe nisin reformat, duke ndryshuar edhe ligjet, por ato nuk kanë një pikë të caktuar se ku do të arrijnë.
Spahija thotë se për vite të tëra, sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë në proces reformues sikurse edhe ai zgjedhor.
“Vazhdimisht, ligje të caktuar ndryshohen e miratohen dhe fillon procesi i ndryshimit, pasi që haset në pengesa në proceduara ose brenda në sistem mbesin aty. Ajo çka është tjetër e rëndësishme është se sistemi zgjedhor nuk është reformuar, ka një kohë të gjatë për shkak të interesave të partive politike që sistemi aktual të mbetet i njëjtë”, tha Spahija.
Procesi i ngecjeve në reforma, thekson Spahija, po e përcjell në vazhdimësi Kosovën, për dallim nga vendet e tjera, të cilat sipas tij, kur të niset një reformë ajo e ka edhe pikësynimin e saj.
“Nëse shikohet se në çfarë mënyre bëhen, atëherë edhe ndërhyrjet e grupit të interesit janë të mëdha. Pra, nuk është qëllimi që të rregullohet sistemi, por të rregullohet ose të plotësohen kërkesat dhe interesat e një grupi të caktuar. Kjo çdoherë ka pasoja negative për shoqërinë, pasi që sërish duhet të kthehemi në procesin legjislativ dhe të ndryshohen e të bëhen reformat në një sistem të pafund”, tha Spahija.
Në anën tjetër, Mexhide Demolli thotë se ngecja në reforma po paraqet probleme të ndryshme. Sipas saj, reformat në secilën sferë do duhej të prodhonin rezultate çdo vit, mirëpo kjo fatkeqësisht në Kosovë nuk po ndodh.
“Me një fjalë, mendoj se në çdo sferë në Kosovë ka ngecje të reformave. Ne kemi një sistem shëndetësor tash e sa vite në gjendje të mjerueshme, që sa vite nuk kanë tentuar të fillojnë me sigurimet shëndetësore, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Kemi një sistem arsimor për të cilin na kanë treguar edhe raportet e ndryshme sa larg jemi. Fëmijët në Kosovë shkollohen 12.8 vjet, mirëpo për dije marrin vetëm për 7.7 vjet. Apo edhe rezultatet testit PISA. Kjo tregon saktë se ne çfarë gjendje është arsimi dhe se asnjëherë nuk është bërë një reformë e mirëfilltë ne arsim. Po ashtu, e kemi një administratë publike të stërngarkuar me punëtorë”, tha ajo.
Nisur nga një prej vendimeve të fundit të Kuvendit, përkatësisht miratimit të Ligjit për paga, Demolli thotë se tani zyrtarët publikë kanë pagat më të larta në rajon, kështu që ata, sipas saj, duhet të kthehen e të mendojnë për qytetarët dhe përmirësimin e jetës së tyre.
Reforma zgjedhore, potencohet si një prej ngecjeve të vazhdueshme, që sipas analistëve do të mbetet peng i vullnetit politik, sikurse edhe shumë procese tjera që kanë filluar, por nuk janë përmbyllur për shkak të mungesës së harmonizimit ndërmjet subjekteve politike. /rel/Telegrafi/