Reformat e ndërmarra gjatë vitit të fundit nga Ministria e Financave për ta ndihmuar zhvillimin e sektorit privat, përveç që po vlerësohen nga biznesi, po vlerësohen lartë edhe në raportet e Bankës Botërore.
Raporti i fundit i Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerëson se ekonomia e Kosovës, gjatë vitit 2018 pritet të shënojë një rritje reale prej 4.2%, duke vazhduar të renditet si vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon.
Kjo perspektivë pozitive e ekonomisë së Kosovës gjithnjë sipas raportit të Bankës Botërore, i atribuohet rritjes së investimeve totale dhe performancës më të mirë të eksporteve, si rrjedhojë e pritjeve optimiste në ekonominë e Eurozonës dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Gjithashtu, vazhdimi i përmirësimit të kapaciteteve absorbuese të investimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare do të jetë një shtytës tjetër pozitiv në përshpejtimin e rritjes ekonomike në Kosovë.
Ngjashëm me vitin 2018, rritja ekonomike do të vazhdojë të përshpejtohet edhe në horizontin afatmesëm (2019- 2020), duke u luhatur rreth nivelit 4.5%, ndërkohë që deficiti buxhetor, sipas raportit të BB-së, do të vazhdojë të respektojë rregullën fiskale gjatë periudhës së parashikuar.
Për të ardhur deri tek ky rezultat shumë pozitiv i rritjes ekonomike të Kosovës, e që është edhe prirës në rajon, Ministria e Financave ka ndërmarr një mori veprimesh që nga dita e parë e marrjes së mandatit të ministrit Bedri Hamza. Ndër veprimet kryesore përfshihen edhe ndryshimet e Politikave Fiskale, themelimin dhe zhvillimin e instrumenteve të ndryshme financiare për mbështetje të biznesit, si dhe shumë veprime tjera qoftë ato ligjore apo operative, me qëllim të zhvillimit të sektorit privat.
Kosova përveç që ka arritur të ketë rritjen më të madhe të zhvillimit në rajon, kjo pa dyshim që do të ndikojë edhe në motivimin e investitorëve të rinj për investime në Kosovë.
Ministria e Financave nuk do të ndalet me kaq. Ne do të vazhdojmë edhe me reformat tjera tani të bëra publike për vitin e ardhshëm, ku në këtë Raport të Bankës Botërore theksohet rëndësia e vazhdimit të procesit të reformave në ekonomi, duke u mbështetur edhe në planifikimet buxhetore.
Me këtë rast, Ministria e Financave thekson se këto pritje të Bankës Botërore janë në linjë edhe me të dhënat më të fundit zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2017, ku sipas së cilës ekonomia e Kosovës për vitin 2017 u rrit me 4.23%, në terma realë, e nxitur kryesisht nga investimet dhe konsumi.
Gjithashtu, të dhënat e përditësuara për gjysmën e parë të vitit 2018 nga ASK konfirmojnë vazhdimin e ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë këtij viti. Po ashtu edhe Komuniteti i Biznesit në të gjitha anketat e tyre kanë dëshmuar që bizneset janë shumë të kënaqura me politikat fiskale në përgjithësi. /Telegrafi/