Site icon Telegrafi

Me reformat e gjyqësorit në Maqedoni, sektor i veçantë për kontroll të policisë (Video)

Reformat në Gjyqësor pritet të krijojnë kushte edhe për kontrollimin e punës së Policisë dhe DSK-së. ALSAT mëson se një sektor i veçantë do të ndjekë rastet kur policia të tejkalojë autorizimet e saj në ushtrimin e forcës, thënë ndryshe, kur do të akuzohet për keqpërdorim të forcës së saj. Ky sektor do të monitorojë autorizimet, pushtetin por edhe forcën që do të përdorin personat me autorizim policor.

Në këtë grup përfshihet policia e shtetit, ajo financiare, ajo e burgjeve si dhe DSK-ja. Sektori në fjalë, një risi në legjislacionin e Maqedonisë, do të mund të kryejë edhe kontroll, edhe hetim, por edhe akuzë. Dhe, kur policia të pranojë rastet e tilla si kallëzim penal, duhet t’i dërgojë ato direkt në Prokurori.

Për t’u mbështetur në legjislacion, ky sektor do të duhet të gjejë bazë normative në disa ligje të tjera, sikurse ligji për Prokurorinë Publike, Ligji për Gjykatat, Ligji për Procedurë Penale, ndryshimi i të cilëve është i patjetërsueshëm. Me këto ndryshime pritet të krijohet pikërisht ky mekanizëm i jashtëm për kontroll mbi policinë, konkretisht do të monitorohet respektimi i standardeve dhe sjelljes profesionale te policisë.

Që të tre këto ligje, kërkojnë 2/3 e votave, dhe miratimi i tyre do të jetë një sfidë më vete për periudhën që vjen. Përveç këtyre ligjeve, pritet të ndryshohen gradualisht edhe Ligji për Policinë, ai për Zbatimin e Sanksioneve, si dhe Ligji për Shërbimin Prokurori Publik, pjesë e mëvetësishme e ligjit për Prokurorinë. Paralelisht me këtë iniciativë, pritet të punohet edhe me mekanizmin kontrollues në kuadër të Avokatit të Popullit, ndryshime këto që burojnë nga sfera e MPB-së.

Exit mobile version