Zëvendëskryeministri Dardan Gashi ka takuar ambasadorin e OSBE-së, Ian Braathu me të cilin biseduan për reformën zgjedhore dhe pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e Republikës së Kosovës.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ian Braathu ka thënë se shpreson që në këtë mandat të shtyhet përpara reforma zgjedhore dhe pjesëmarrja e diasporës të jetë më e lartë.
“Urime për detyrat e reja dhe shpresoj që në këtë mandat të shtyhet përpara reforma zgjedhore dhe pjesëmarrja e diasporës të jetë më e lartë se deri më tani”, ka thënë Braathu.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Gashi e ka informuar ambasadorin për proceset e qeverisë dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
“Po besojmë që zgjedhjet e ardhshme do të mbahen pas reformave zgjedhore që duhet të bëhen. Me reformat zgjedhore do të rregullojmë dhe formën e votimit të diasporës e cila merr pjesë në numër më të vogël se 10% në procesin zgjedhor”, ka thënë Gashi.
Gjatë takimit u fol dhe për rolin e diasporës kosovare në tërheqjen e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.