Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme se plani prej 5 pikash nga opozita është rruga për zbatimin e kushteve nga Bundestagu dhe për të nxjerrë vendin nga kriza.
Gjatë një interviste, Basha tha se “ne kemi dorëzuar një plan për daljen nga kriza, duke nisur me një propozim për reformën zgjedhore duke qenë se reforma zgjedhore është një nga kushtet e Bundestagut, i pasuar nga kushti tjetër për zbatimin e reformës zgjedhore, e cila për këdo që ka sy në ballë dhe veshë për të dëgjuar do të thotë zgjedhje, do të thotë i vetmi institucion që rikthen legjitimitetin që janë zgjedhjet”.
Sipas tij, vullneti politik zgjidh krizën duke deklaruar se opozita nuk ka parashtruar kushte.
“Nuk kemi parashtruar kushte. Ne kemi parashtruar rrugën e procesit, ku kushti kryesor është transparenca, është që gjithçka të bëhet në sytë e publikut dhe me përfshirjen e sa më shumë qytetarëve dhe grupeve të interesit. Unë jam partizan i sistemit maxhoritar përballjes në zona maxhoritare ku garanton lidhjen e drejtëpërdrejt të deputetit me qytetarin. Pse jo lista të hapura kombëtare”, tha ai.
Basha tha se “ne këtu nuk na solli sistemi dhe as Kodi Zgjedhor, përkundrazi, për herë të tretë OSBE/ODHIR të thotë në faqen e parë të Raportit se korniza ligjore në tërësi është e mjaftueshme për të garantuar zgjedhje demokratike, por mungon vullneti politik”.
Basha tha se opozita nuk tërhiqet nga plani me 5 pika për zgjidhjen e krizës që çon tek zgjedhjet e parakohshme, me një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën.
“Pika 4 e planit me 5 pika i opozitës tregon se nuk ka asnjë tërheqje, se ne e bëjmë të qartë se për shkak reforma zgjedhore është tashmë një kusht edhe për integrimin europian dhe e konsiderojmë një pikënisje për zgjidhjen e krizës politike. Reformë zgjedhore nuk do të thotë të bëjmë ndryshime të ligjit në letër, sepse ligji në tërësi siç e thotë OSBE/ODIHR është në rregull. Është zbatimi i ligjit, vullneti për të zbatuar ligjin. Pra nuk ka asnjë tërheqje, përkundrazi ka një zbërthim racional të përgjegjshëm nga politika, nga opozita, të qëndrimit tonë politik për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën”.
Duke u ndalur te kërkesa e opozitës për ekspertë të huaj në strukturën e posaçme për reformën zgjedhore, Basha tha se arsyeja është që PS nuk ka vullnet.
“Kur të detyrohet të futet në këtë rrugë sepse nuk ka rrugë tjetër, duhet të kemi jo thjesht mbështetje dhe ekspertizë, por dhe një dëshmi të fortë ndërkombëtare për të detyruar PS që t’i përmbahet. Sepse në fund të fundit një reformë zgjedhore do ta ç’armatosë kupolën e Partisë Socialiste nga arma me të cilën ka grabitur zgjedhjet tre herët e fundit, që është bashkëpunimi me krimin, paratë e drogës dhe paratë e korrupsionit”, tha Basha.
Basha deklaron se tryeza e dialogut nuk zgjidh asgjë, duke shtuar se “kjo krizë zgjidhet me zgjedhje dhe këtë ka thënë Bundestagu. Bëj gati kuadrin ligjor, zbatoje kuadrin ligjor – që do të thotë zgjedhje”./ATSH/