Aksioni antiinformalitet ka sjellë progres në ekonomi, duke nxjerrë vendin nga situata ku ndodhej, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një forum të mbajtur për reformën në ekonomi.
“Besoj se të gjitha ato që u thanë këtu bëjnë sens, por nuk duhet të shkëputen nga konteksti. Duhet të jemi optimistë për atë që po ndodh, dhe do të ndodhë më tej. E filluam punën në tetor 2013, dhe dua t’ju kujtoj se FMN-ja nuk ishte këtu fare, ishte përzënë pa ceremoni. BB-ja kishte ndaluar çdo lloj vazhdimësie të programeve të veta për shkak të një reforme të kërkuar me këmbëngulje si kusht për të vazhduar financimi e programeve që ishte reforma e pensioneve. Ishim në kulmin e një konflikti me kompaninë e shpërndarjes së energjisë si rezultat i një shpronësimi të dhunshëm nga ana e qeverisë së mëparshme. Kishim një bllokim të të gjitha kompanive që kryenin punë publike. Marrëdhëniet me këto kompani të papaguara e impononin këtë gjë.
Kreu i qeverisë tha se pagesat e borxhit prej 720 milionë dollarë bëri të mundur që të zhbllokonte punën e kompanive që kishin kryer investime publike, shkruan Shekulli.
“720 mln dollarë për të zhbllokuar kompanitë dhe për të nisur rritjen nga një situatë e vështirë. Faktikisht unë jam dakord me çfarë u tha këtu, por besoj se midis një situate ku nuk bëhej një rimbursmin i vetëm i TVSH-së për askënd pa paguar 30-50% atë që bënte rimbursimin, dhe tani kemi një rimbursim automatik të TVSH-së. Këtë e dinë ata që janë sipërmarrës këtu. Ju kujtoj që ishim në kushtet ku për shkak të konfliktit me CEZ dhe borxhit të akumuluar, 1.1 mld dollarë borxh i akumuluar nga 2007-2013 nga kompania e shpërndarjes së energjisë”, tha Rama. /Telegrafi/