Euro2016 në Francë tashmë nuk kërcënohet vetëm nga sulmet terroriste por edhe nga problemet e brendshme që ka vendi.
Punëtorët hekurudhorë, tashmë në greve, kanë protestuar kundër reformave të punësimit që ka në plan të ndërmarrë qeveria franceze duke kërcënuar vijimin e grevës dhe të protestave gjatë gjithë kampionatit evropian të futbollit.
Truma me punëtorë dhe anëtarë të sindikatave marshuan me flamuj në duar të shoqëruar me parulla dhe brohoritje.
Kreu i hekurudhës shtetërore franceze tha të martën se shpresonte në një marrëveshje të re mbi kushtet e punës dhe në fundin e grevës para fillimit të kampionatit.
Nën presionin e një qeverie të prirë për të qetësuar situatën para Euro 2016, shërbimi i trenave ka vënë kushte të reja për sindikatat që të ruajnë shumicën e kushteve aktuale të punës dhe madje edhe përmirësimin e disave prej tyre.
Sipas kreut ekzekutiv të shërbimit të trenave, greva deri tani ka kushtuar më shumë se 300 milionë euro, shifër e barabartë me fitimet e 2015.
Qeveria këmbëngul në miratimin e reformës së punësimit, e cila në thelb u jep më shumë kompetenca pronarëve për të punësuar apo pushuar nga puna punëtorët. Reforma kundërshtohet nga këta të fundit, të cilët kanë rreth 1 muaj që protestojnë në rrugët e Parisit dhe në qytete të tjera të mëdha të Francës.