Poezi nga: A. D. Winans
Përktheu: Fadil Bajraj
një poet kopuk pat thënë
“edhe unë do të mbaja me vete një kuti ushqimi
bash njashtu si të tjerët
sikur kjo mërmëritje e çuditshme
të më linte rehat”
duke iu afruar tetëdhjetë e shtatës
ndihem pak a shumë njësoj
kur shikoj veten në pasqyrë dhe shoh
hijen e një të vdekuri me sy të zgurdulluar
dëshiroj për një moment të isha i bekuar
me shkathtësitë e marangozit
në vend të këtyre fjalëve të rënda
të mbyllura brenda qelizave të trurit tim të plakur
tetëdhjetë e gjashtë vjet dhe hala po i numëroj
ndihem si pesëcentësh me kokë bualli
i dalëboje e i konsumuar
kapem për vizionet që po veniten
si një emigrant i pazoti të heq qafe
vendin e të moçmëve
disponimet vijnë e shkojnë si
shtëllunga resh fundosen ngadalë si
bashi i Titanikut
fantazmat performojnë tango në kuvertë
veshur me rrathë zjarri
secila ditë sjell një iluzion tjetër
të pashpirt si ëndrrat e bredhacakut
teksa këndoj këngën e varrit tim të zgjedhur
çdo varg çdo strofë kërcen si
balerinë pa nevojë për rrjet sigurie
një mik i suksesshëm në botën e biznesit
më thotë se më duhet të bëj një listë të prioriteve të mia
dhe t’u përmbahem pavarësisht të gjitha vakive
por grremçat janë futur tepër thellë
shumë lart në zemër për të ndryshuar kursin
Poeti është si tren
udhëtim romantik në një kohë tjetër
ai është i mirë për të qeshur një herë a dy
dikush me të cilin mund të bisedosh
dhe herë pas here të flesh me të, ama gjithmonë
të qëndrosh sa më larg tij kur i ka punët llugë dhe pisk.