Pas marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me kontestin shekullor për çështjen e emrit në Maqedoni menjëherë krijohet nevoja për të mbajtur referendum ku qytetarët do të pyeten për ndryshimin e emrit të vendit.
Pyetja e referendumit do të duhet të vendoset por sipas të gjitha gjasave ndonjë opsion i përafërt do të duhet të jetë kështu: A jeni për integrim në BE dhe NATO sipas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë?
Kusht për suksesshmërinë e referendumit në Maqedoni është pjesmarrje që i njejti të jetë vendimarrës. 900.001 qytetarë duhet të dalin në referendum sipas liderëve të partive politike që disa ditë me radhë kanë mbajtur takim liderësh në Maqedoni. Se cili opsion duhet të fitojë nëse bëhet kjo pyetje atëherë për të njejtën duhet të votojnë 50% dhe një votë më shumë, nga mundësi tjetër.
Por a ka mundësi reale Maqedonia që të ketë referendum të suksesshëm nëse i njejti bojkotohet nga OBRM-PDUKM-ja?
Duke i krahasuar zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2016 ku pjesmarrja në zgjedhje ka qenë një ndër më të lartat, 66,79% bojkotimi i OBRM-PDUKM-së do të thotë dështim eventual i procesit të referendumit. Pse? Sepse, LSDM, partnerët e LSDM-së, partitë shqiptare dhe të gjithë partitë tjera numerikisht kanë deri në 700 mijë vota, nga gjithësejt 1.191.852 votues, atëherë. Pra OBRM-PDUKM me partitë e koalicionit kanë pasur 454,577 vota, njofton Telegrafi Maqedoni.
Duhet potencuar se disa nga partitë e koalicionit kanë dalë kah shumica parlamentare, pra nga OBRM-PDUKM kah LSDM dhe partitë tjera në pushtet që janë pro referendumit. Kjo LSDM-së dhe partive tjera ju jep shpresë se edhe pa OBRM-PDUKM-në do të ketë referendum të suksesshëm.
Rritja e votave të LSDM-së, qëllimi strategjik i integrimit të vendit dhe përkrahja e shqiptarëve apartiak për Maqedoninë është një arsye më shumë se vendi mund ta kalojë këtë test.
Shpresë tjetër është që të organizohet edhe diaspora, posaçërisht ajo shqiptare që duhet të sigurojë dalje masive që shifrat të arrijnë në 900,001 qytetarë që të dalin të votojnë PËR apo KUNDËR ndryshimit të emrit. /Telegrafi/