Site icon Telegrafi

Referendumi në veri dhe Albin Kurti në Shqipëri

Çfarë fantagorizme! Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, kanë vendosur që në ditën e Shën Valentinit të mbajnë referendum. Zotërinjtë kanë harruar se referendumet si mjet i deklarimit popullor, organizohen nga shtetet për çështje që janë të klasifikuara si interes i lartë, interes shtetërorë apo interes kombëtar. Referendumet komunale ndërkaq mbahen për çështje si p.sh; ku mund të hapet gropa e re septike, ku të lidhet kryçorja e re për kanalizime etj. Një referendum që nuk mbështetet nga qeveria e shtetit ku komunat janë, e as nga shteti sponsor i këtyre institucioneve, është vetëm një marketing politik parazgjedhor i formës – tallje e madhe – e politikanëve të harxhuar në Beograd të tipit Koshtunica.

Këta zotërinj nga veriu i Kosovës, të dalldisur nga syri i kamerave dhe daljet e tyre në TV qysh se barrikadat iu kanë dhënë hapësirë në media, harrojnë se çështja që ata duan ta ngrehin në referendum nuk e ngrit nga karrigia as zyrtarin më të ulët në kancelaritë euro-amerikane. Kriza në Eurozonë, ekonomitë në recesion, dhe perspektiva e zymtë për zhvillim të pritshëm, minimizojnë këtë çështje deri në imtësi. Aq më tepër kur kjo bile nuk është as edhe çështje. Gabohen zotërinjtë nëse mendojnë se liderët botëror do të rendin pas tyre duke i përgjëruar, apo se Obama, Sarkozy, Cameroon, Putin, etj., shkojnë vonë natën në krevat me dhimbje koke duke menduar se çfarë ndikimi do të ketë rezultati i referendumit të tyre.

Qejfet dhe teket personale nuk kanë hapësirë në këndvështrimet politike. Idetë dhe dogmatizimet nuk kanë ndikim në politikbërje, dhe neveritë dhe bezditë merren vetëm si kotësi të cilat duhet përballuar, aq më tepër kur serbët e veriut duke iu përqasur këtij referendumi harruan dhe tradhtuan serbët në rajonet tjera të Kosovës, dhe nuk janë në gjendje as edhe një herë të ofrojnë apo pranojnë krahasime me pakicat e tjera në Kosovë, apo ato në Serbi, si fjala vjen shqiptarët e Luginës së Preshevës të rrezikuar nga asimilimi dhe ekzistenca.

Nga ana tjetër, një referendum mediatik hapur në 60 ditshin e fundit të vitit 2011 nga ‘Top Channel’ në Tiranë, nxori për herë të parë në 10 vjet një qytetar të Kosovës si ‘Njeriun e Vitit’. Ky konstatim i dalë nga votimet në internet ngriti Albin Kurtin si figurën më të pëlqyeshme mes shqiptarëve. Kjo temë u hesht deri në relativitet nga shumë media në Kosovë, por gabimi është i vërejtshëm dhe nuk duhej të kishte ndodhur.

Votimi në internet ka qenë global i hapur si për diasporën, preshevarët, ashtu edhe për gjirokastritin, si për ulqinakët, ashtu edhe për struganët. Mendja ma thotë mendja se z Kurti nuk është votuar për aftësitë e tij futbollistike apo kulinareske për shembull (edhe pse aj mund të jetë lojtar i mirë i të dyja këtyre kulturave njerëzore), por është votuar për platformën politike që ai dhe lëvizja e tij politike përfaqësojnë, ku strumbullari është ideja e një shteti kombëtar shqiptar.

Nga ky sondazh, po kaq i rëndësishëm është fakti se z.Kreshnik Spahiu nga ‘Aleanca Kuq e Zi’ doli njeriu i dytë më i votuar i vitit. Edhe z.Spahiu, si edhe z.Kurti i mbahet fort principit të një shteti kombëtar shqiptar, diçka që politika e çakërdisur ditore në Prishtinë e Tiranë e kanë anashkaluar aq fort sa kur pyeten nga ndonjë guximtarë rreth kësaj çështje, ata e shmangin thuajse po hyjnë në krevat me djallin. Duke parë rezultatin e votimit, duhet apeluar tek dy kryeqytetet zyrtare shqiptare të mbajnë vesh e të dëgjojnë, sepse populli është ai që lëviz kohrat. Sa për ilustrim, ktheni kokën kah Lindja e Mesme, ku populli hoqi dhe po lufton pikërisht ata që thonë se kanë të drejt duke shpërfillur vullnetin e sovranit. Edhe shqiptarët kanë të drejtën historike. Votimi në ‘Top Channel’ është një grimcë nga vullneti i kombit tonë fisnik. Është koha e fundit të mos nëpërkëmbet.

(Autori është bashkëpunëtorë shkencorë në Qendrën për Studimet e Shkencave Politike të Evropës Lindore, studiues shkencorë në Universitetin Newcastle, anëtarë i Qendrës për studimet fqinjësore i Universitetit Sterling, bashkëpunëtorë korrespondent në Universitetin e Varshavës, dhe pedagog i shkencave politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe)

Exit mobile version