Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, më i rëndësishmi në fushën e albanologjisë po ballafaqohet me probleme teknike.
Ligjëratat e parapara për ditën e sotme në kuadër të këtij seminari, u shtynë për shkak te mungesës se rrymës.
Reduktimet e energjisë elektrike penguan mbajtjen e ligjëratave mëngjesin e sotëm për më shumë se 100 seminaristë.
Sipas drejtorit te seminarit, Shkumbin Munishi kjo po praqet vështirësi në organizimin e edicionit të 40-të të këtij seminari.
Ai njofton për KosovaPress se mëngjesin e sotëm ligjëratat e parapara në orën e caktuar nuk janë mbajtur për shkak te ndërprerjes së rrymës.
“Seminari po shkon shumë mirë, nuk kemi probleme, përveç problemit teknik sikur tani që kemi problemin me furnizimin e energjisë elektrike, i cili mund të ndikojë eventualisht në shtyrjen e ligjëratave apo të aktiviteteve të tjera për ndonjë orë tjetër”, thotë ai për KosovaPress.
Se mungesa e energjisë elektrike po u shkakton telashe në mbarëvajtjen e ligjëratave e thotë edhe seminaristja, Sara Elshani.
Ajo tregon se vjen nga Austria ndërkohë që pret para Fakultetit Filologjik për të mbajtur ligjëratën e cila ishte shtyrë për shkak të reduktimeve të rrymës.
“Kam ardhur në këtë seminar me qëllim ta mësojë më mirë gjuhën shqipe… Po tash në ora 11:00 kemi pas një ligjëratë, mirëpo është shtyrë për në ora 12:00 sepse s’ka rrymë”, tha ajo.
Sot kanë vazhduar reduktimet e rrymës në vendin tonë. Ndërsa dyfishimi i tarifave të rrymës të propozuara të premten nga furnizuesi me rrymë KESCO, në kërkesën e bërë te Zyra e Rregullatorit të Energjisë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, është në proces të shqyrtimit të aplikimit të tarifave të reja.
Ndonëse Ministria e Ekonomisë pati deklaruar se është zgjidhur problemi me energji elektrike, KOSTT sot ka lëshuar një komunikatë ku qartëson se për oraret e furnizimeve me rrymë, konsumatorët duhet të drejtohen në KEDS.