Me Ligjin për Obiliqin kësaj komune i garantohet furnizim i rregullt me energji elektrike, por që ditëve të fundit reduktimet janë duke e prekur edhe këtë qytet.
Është kryetari Xhafer Gashi, që paralajmëron padi ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për shkak të reduktimeve që banorët e kësaj komune po përballen.
Si pasojë e krizës energjetike tashmë në Kosovë kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike, por që kreu i Obiliqit thotë se si komunë prodhuese e energjisë elektrike, nuk duhet të kenë ndërprerje.
“Ka kohë pas kohë ka dy orë, por në fakt me Ligjin për Obiliqin janë të obliguar që të furnizohet 24 orë Obiliqi me energji elektrike. Ne kemi bërë një reagim te KEDS sepse e kemi diskutuar dhe kemi një marrëveshje edhe me KEDS-in. Nëse do të vazhdojë kështu ne do të jemi të gatshëm të fillojmë edhe me bizneset po edhe me amvisërinë për dëmet që po iu shkaktohen gjatë kësaj ndërprerje të energjisë elektrike dhe do të bëjmë një padi drejtpërdrejtë në gjykatë”, thotë Gashi.
Ai thekson se një nga projektet më të rëndësishme që do të përfundojë gjatë këtij mandati është projekti për ngrohtoren e qytetit.
“Do të jetë në faza, faza e parë do të jetë Obiliqi, Mazgiti dhe Millosheva. Janë ndarë dy milionë buxhet për fillimin e projektit të shtrirjes së rrjetit dhe shpresoj që kjo do të jetë në vazhdimësi në katër vitet e ardhshme mendojmë që do të kompletojmë projektin”, thekson ai.
Përveç përfundimit të projekteve që kanë nisur gjatë mandatit të kaluar, i pari i Obiliqit thotë se përgjatë katër vitesh do të investojnë edhe në shumë projekte të tjera në shëndetësi, arsim, infrastrukturë.
Gashi pret mbështetjen e nivelit qendror për të realizuar projektin e përbashkët me KEK-un sa i përket ndërtimit të parkut të gjelbër.
“Është një projekt i përbashkët me KEK-un që kemi filluar, quhet parku i gjelbër në fshatin Dardhishtë , ku në vete përbën rreth 60 mijë drunj të llojeve të ndryshme, pastaj pjesë rekreative. Është një projekt rreth 60 milionë euro që është përgatitur dhe besoj që bashkërisht me institucionet e nivelit qendror do t’i shtyjë si procese që t’i realizojmë”, shprehet Gashi.
Në fund, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, flet për përfitimet që si komunë kanë për shkak të Ligjit për Obiliqin.
“Prej Ligjit përfitojnë qytetarët rreth 20 përqind të tantiemës së eksploatimit të thëngjillit, e të cilat pastaj shpërndahen nëpër linja të ndryshme, duke përfshirë edhe projekte të ndryshme kapitale. Mirëpo, edhe për subvencionimin në arsim, shëndetësi, sport, kulturë, bujqësi…Që nga fillimi i implementimit të pjesës financiare Obiliqi tashmë ka filluar të ndryshojë, janë ndërtuar shumë projekte të mëdha”, thotë ai.
Në dy mandatet e kaluara, Xhafer Gashi ka fituar Komunën e Obiliqit nën siglën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq mandatin e tretë e mori duke garuar me Iniciativën Qytetare për Obiliqin. /KP/