Telegrafi

Reduktime të ashpra të ujit gjatë verës

 Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, në sezonin veror po përballet me rritje enorme të kërkesave me ujë të pijshëm. Kjo bënë që kjo kompani të shtojë reduktime të ujit në disa nga lagjet dhe fshatrat e Komunës së Prishtinës.

Zëdhënësja, Arjeta Mjeku thotë se niveli i ujit në liqenet akumuluese është i kënaqshëm, por kërkesat për ujë këtë vit janë shumë më të mëdha sesa vitet e kaluara.

Ndërsa, qytetarët, thonë se reduktimet e ujit po bëhen në kohën kur më së shumti është i nevojshëm.

Reduktimet e ujit në lagje dhe fshatra të kryeqytetit sillen nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 18 pasdite. Arjeta Mjeku u bën apel qytetarëve që ujin ta përdorin vetëm për pastrim dhe higjienë e assesi për destinime të tjera të paarsyeshme.

Ndryshe, kryeqytetasit që jetojnë në banesa ujin nuk do ta paguajnë më paushall, por faturat do të vijnë në bazë të numrit të anëtarëve të familjes. Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Mbeturina, sipas Rregullës të Shërbimeve të Ujit, që ishte miratuar më 31 maj të këtij viti, ka bërë ndërrimin e Rregullores për mënyrën e Faturimit të Ujit në ndërtesat e banimit kolektiv. /Rtk/Telegrafi/