Politikanja serbe dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq në një intervistë për Telegrafin ka thënë se momentumi i krizës me reciprocitetin e targave është i papërshtatshëm.
Politikanja serbe thotë se një problem tjetër është se tërë kjo vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në vendkalimet administrative e izolon më tej Kosovën dhe e përjashton atë nga funksionimi normal në rajon.
“Shumëkush tani do ta shmang Kosovën si rrugën e tyre transit, gjë që bart rreziqe dhe pasoja të mëtejshme ekonomike, politike dhe të sigurisë”.
Trajkoviq ka folur edhe për rreziqet që sjell gjendja e krijuar pas aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.
“Me gjithë vullnetin e mirë të Policisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë, një situatë kaq të ndjeshme kurrë nuk mund ta kontrolloni plotësisht. Ekziston një rrezik serioz që ndonjë reagim i papritur t’i çojë protestat në një drejtim të padëshirueshëm. Sa më gjatë të qëndrojnë në barrikada, aq më e madhe është mundësia e konfliktit dhe radikalizimit. Ndërsa tani shohim se forcat serbe i janë afruar vijës administrative të Kosovës”, tha ajo.
“Kjo krizë po ndodhë edhe në atmosferën parazgjedhore në Kosovë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në rrethana të vështira dhe për të cilat është shqyrtuar mundësia të mos mbaheshin [shtyhen]. Futja e Kosovës në një gjendje të jashtëzakonshme shtesë në rrethanat e një gjendjeje të jashtëzakonshme tashmë ekzistuese nuk është një vendim i përgjegjshëm. Nëse vazhdon kështu dhe nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën, serbët dhe shqiptarët në gjendje të jashtëzakonshme vështirë se do të jenë në gjendje të bëjnë një fushatë efektive zgjedhore. Për më tepër, tani nuk dihet nëse serbët e Kosovës do të dalin fare në zgjedhje në këto rrethana. Kjo do të thotë kthim mbrapa i situatës dhe proceseve politike në Kosovë”, tha Trajkoviq për Telegrafin. /Telegrafi/