Site icon Telegrafi

Reciprociteti me targat, pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi

Pala serbe vazhdon të mos respektojë marrëveshjen e arritur vitin e kaluar për targat e automjeteve. Qytetarët e Kosovës që hynë në territorin serb me automjete janë të obliguar të vendosin targat me mbishkrimin prova.

Pavarësisht deklaratave publike të zyrtarëve të Qeverisë se do t’i vendosin reciprocitet edhe për qytetarët serbë, duke iu hequr targat serbe për t’i vendosur ato prova, një gjë e tillë nuk po ndodh. Ministria e Punëve të Brendshme kishte hap tender urgjent për furnizim me targa, dhe ka nënshkruar kontratë me kompaninë, e cila do të prodhonte targat me mbishkrime RKS dhe prova të dedikuara për automjetet serbe.

Zyrtarët e ministrisë së Punëve të Brendshme nuk pranojnë se kanë hapur tender emergjent për targa, ani pse në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), në përshkrim të tenderit thuhet: “Furnizim emergjent me targa për regjistrim të automjeteve”.

Ministrja pa portofol , Edita Tahiri ka konfirmuar për KP, që pala serbe vazhdon të aplikojë tabelat me prova, por që sipas saj, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian janë marrë vesh që çështja e reciprocitetit për targa do të implementohet pas zgjedhjeve në Serbi.

“Problemi me targa është ajo që Serbia vazhdon të aplikojë targat prova, ndaj tabelave të Kosovës ose RKR-së. Për këtë çështje në janar kemi biseduar në Bruksel, pala serbe ka premtuar se menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi do të jetë e gatshme për reciprocitet, që nënkupton kërkesën tonë që e kemi bërë, ose të hiqen plotësisht targat e Serbisë me prova ose edhe ne do t’i vejmë targat prova apo do të ketë edhe një zgjedhje të mundshme tjetër. Por kjo do të bëhet plotësisht bazuar në reciprocitet. Për këtë arsye nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe para BE-së që të gjendet zgjidhja me reciprocitet”, ka thënë Tahiri.

Rrahim Pacolli, kryesues i delegacionit të Kosovës për dialog me Brukselin lidhur me kartonin e gjelbër, mendon se është jo logjike që t’i jepet hapësirë palës serbe dhe mos të vendoset reciprocitet. Sipas tij, është e pakuptimtë që tani ka edhe kompani të zgjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme për vendosjen e targave prova për qytetarët serbë që hynë me automjete në Kosovë e që nuk po zbatohet në praktikë.

“Unë mendoj që nuk duhet t’i japim hapësirë për arsye se iu është dhënë hapësirë deri tani, gati 1 vit dhe janë duke u ankuar qytetarët e Kosovës. Ne kemi ankesa të përditshme për maltretime që po iu shkaktohen në kufij me targa prova që iu vijnë. Sa e di unë Qeveria e Kosovës është pajisur me targa prova për automjete të Serbisë. Pse nuk po implementohet është një dëm që po iu bëhet qytetarëve të Kosovës. Marrëveshja reciproke që është arritur me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve është duke mos u respektuar nga Qeveria e Kosovës, për arsye se duhet të iu vendosin targat edhe qytetarëve të Serbisë për me arrit me iu heq edhe qytetarëve të Kosovës në të ardhmen”, tha Pacolli.

Ministria e Punëve të Brendshme në muajin mars kishte nënshkruar kontratë me kompaninë, “G3 Inxhiniering & Rade Konçar ”, për furnizim emergjent me targa për regjistrim te automjeteve. Sipas njoftimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), vlera e kontratës arrin shumë 93,411.00 euro. Ndërsa, sipas njoftimit të kësaj kontrate në KRPP, thuhet se kohëzgjatja e kontratës është se ajo fillon të implementohet më 23 mars të këtij viti dhe përfundon më 22.06.2016.

Kosovapress ka kontaktuar me përfaqësuesin e kompanisë “G3 Inxhiniering & Rade Konçar”, Shaban Hoti, i cili ka konfirmuar se e ka fituar tenderin për targat. Ai nuk ka dashur të jap prononcim para kamerës, por përmes telefonit tha se sipas kontratës që e ka me Ministrinë e Punëve të Brendshme ai do të bëjë furnizimin me targa të Kosovës, RKS po nuk ka treguar nëse është e specifikuar në kontratën e tenderit për vendosjen e targave Prova.

Kurse, në përgjigjen elektronike, zyrtarët e MPB-së, thonë se nuk kanë hap tender emergjent për targat dhe se këto konstatime të redaksisë nuk qëndrojnë.

“Më lejoni të iu njoftoj se MPB nuk ka iniciuar asnjë procedurë urgjente për targa që do t’i përdorin serbët që hynë në Kosovë me targa serbe. Sa i përket konstatimeve tuaj mund të themi se nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Exit mobile version