Telegrafi

Reciprociteti ngrit në këmbë Beogradin, Serbia kërkon nga Kosova hapje të kufijve

Përfaqësues të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, kanë organizuar në pikën kufitare të Medarit një aksion të shpërndarjes së ujit për shoferët e automjeteve që po presin në këtë pikë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes kësaj fushate, zëvendësdrejtori i kësaj zyre, Dushan Kozarev, ka dashur të arsyetohet para atyre që po presin në pikën kufitare, duke thënë se “ne nuk dëshirojmë që ju të prisni”, ndërsa ka shtuar se Serbia kërkon që të respektohet në plotësi liria e lëvizjes së mallit.

Si pasojë e ndalesës së librave shkollorë nga autoritetet serbe, të dedikuara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, Prishtina zyrtare, kishte marr vendim që të aplikojë masën e reciprocitetit, duke ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Ndërsa, në një deklaratë për mediat serbe, Kozarev ka kritikuar qeverinë kosovare për këtë akt, ndërsa ka thënë se aksioni i sotëm do të vazhdojë edhe më tej, nëse nuk shfuqizohet ky vendim.

Përfaqësues të bizneseve serbe që eksportojnë mallrave në Kosovë, kanë hedhur një sërë akuzash ndaj politikanëve serbë dhe, u kanë kërkuar atyre që të ndërmarrin diçka, pasi siç thonë, kjo po u kushton atyre me dëmtim të mallrave.

Ndërkohë, ministri i Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, në një prononcim të tijin për mediat serbe ka thënë se me këtë ndalesë, Kosova nuk po e respekton marrëveshjen e CEFTA-a.