Telegrafi

Reçica: Vendimi i PZAP-it është i drejtë, nuk do të lejojmë Vuçiqin të shtrijë dorën e manipulimit mbi shtetin tonë

Skender Reçica nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se mbrojtja e vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës është obligim ligjor që nuk përjashton asnjë subjekt politik dhe asnjë individ.

Reçica ka pohuar se dështimi eventual për të siguruar ligjshmëri të procesit zgjedhor, na shndërron në një shtet që s’respekton ligjet e veta, si dhe interesin qytetar nuk e vë në rend të parë.

Në shkrimin e bërë në Facebook, ai ka thënë se kutitë e mbushura me fletëvotime të manipuluara në shumë forma e të kontrabanduara jashtëligjshëm nga Serbia në Kosovë u tentua që për interesa të ulëta partiake të shndërrohen në vota.

“Në vazhdimësi po shohim dëshmi që edhe qytetarë të vdekur figurojnë në listat e votuesve dhe kanë “votuar” në këto kuti, prandaj këto kuti mund të jenë çdo gjë tjetër por jo votë qytetare. Si të tilla, ato duhet të anulohen”, ka shkruar ai.

Tutje Reçica ka thënë se vendimi i PZAP-së, është i drejtë dhe tentimi i disave për t’i legjitimuar ato vetëm se u shërben matematikave hipokrite për të dëmtuar vullnetin e mbi 42.000 votuesve kosovarë, është e papranueshme.

“Ne, në asnjë mënyrë nuk duhet ti lejojmë askujt, as Vuçiçit dhe Beogradit të shtrijë dorën e manipulimit mbi shtetin tonë, mbi vullnetin e qytetarëve tanë. Ne përfundimisht, të zhveshur nga interesat e ngushta, i tregojmë qartë Beogradit dhe kujtdo që përpiqet të mohojë vullnetin e qytetarëve duke mos respektuar ligjet në fuqi, se Kosova dhe qytetarët e saj nuk lejojnë një gjë të tillë”, vijon shkrimi i tij.

Ndryshe, para disa ditësh Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim lidhur me ankesat e subjekteve politike dhe kandidateve për deputet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 06 tetorit 2019. PZAP ka urdhëruar KQZ-në të largojë nga rezultati përfundimtar të zgjedhjeve votat e ardhura nga Serbia, si dhe të rinumërojë afro 1 mijë e 500 vendvotime./Telegrafi/