Site icon Telegrafi

Reçica: Do të shtojmë kontrollin për shtimin e vdekjeve në vend të punës

Përderisa vetëm në muajin e fundit kanë ndodhur dy raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ngritur sot këtë shqetësim se kjo dukuri është duke u rritur në krahasim me vitet e kaluara, shkas i mos zbatimit të ligjeve në fuqi dhe lëshimeve nga ana e Inspektoratit të Punës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se do të angazhohet që siguria në punë të jetë ashtu siç kërkohet, duke shtuar kontrollin ndaj Inspektoratit të Punës.

Sipas tij, vdekjet e fundit, si ajo në punishten e kompanisë “Bechel & Enka” në Kaçanik dhe tjetra në Llaushë të Skënderajt, të cilat kanë qenë një fatkeqësi për shtetin, sepse nuk mjaftojnë vetëm ngushëllimet për familjarët e tyre.

“Një njeri të shkojë në punë dhe të mos i kthehet familjes shëndosh e mirë, është një fatkeqësi për shtetin. Nuk mjaftojnë ngushëllimet për familjet, nuk mjafton as një mbështetje, sepse nuk i kthehet familjari më familjes. Mirëpo, si ministër do të angazhohem maksimalisht që siguria në punë për të gjithë punonjësit në Kosovë të jetë në nivelin çfarë duhet me qenë. Pikërisht për këtë në kuadër të objektiveve dhe prioriteteve tona kemi vu theks të veçantë në fuqizimin e rolit të Inspektoratit të Punës për ngritjen e kapaciteteve, në shtimin e inspektorëve, por jo vetëm kaq, ne si ministri do të shtojmë kontrollin daj inspektoratit”, deklaroi ministri Reçica.

Kryetarja e Komisionit Besa Baftiu theksoi se MPMS është një fushë e cila është shumë e ndjeshme, prandaj kërkohet një përkushtim shumë i madh si nga ana e ministrit, por edhe nga ana e deputetëve të këtij komisioni. “Ne e dimi se janë dy ligje të cilat mbrojnë të drejtën e punëtorit qoftë në punë sic është ligji bazik i punës dhe ligji për Mbrojtjen dhe Shëndetin në Punë. Mirëpo fatkeqësisht këto ligje nuk po zbatohen në praktikë”, theksoi deputetja Baftiu.

Vitin e kaluar kanë qenë 9 raste të vdekjeve, ndërsa në këtë vit janë 13 raste me fatalitet. Mësohet se brenda këtij viti kanë qenë edhe rreth 50 raste të lëndimeve në vendin e punës.

Ministri Reçica theksoi se prioritet dhe objektivë për të mbetet krijimi i politikave për punësim dhe zvogëlim të papunësisë dhe implementimin e masave për ndihme sociale për nevojtar.

“Një nga objektivat tona është të bëhen politikat e punësimit dhe për nevojat e tregut të punës, për përgatitjen, kualifikimin dhe po ashtu u fol sot këtu dhe mungese të kuadrove që kanë bizneset. Nga ajo që kam parë unë, në bazë të tri hulumtimeve që janë bërë mbi nevojat e tregut të punës në Kosovë, ku është një shpërputhje goxha e madhe me atë çka prodhojnë universitetet tona me nevojat reale të tregut të punës”, potencoi Reçica.

Ai ka shtuar se përcaktimi i pagës minimale mbetet edhe një sfidë tjetër, e cila do të kishte afektuar edhe në rritjen e pensioneve. Reçica në raportimin e tij para deputetëve, nuk theksoi se do të ketë rritje të pensioneve për vitin 2018, meqë edhe buxheti është i pa mjaftueshëm për këtë vit.

Edhe Naser Rugova anëtar i komisionit ka kërkuar nga ministri të krijohen politika nxitëse për punësim. Rugova ka thënë se duhet të behët një analizë për rolin punëmarrës-punëdhënës për sigurinë në punë. Po ashtu ai ka apeluar te çështja e stazhit të punës, në mënyrë që shumë punëtorë kanë kontribuar në kohërat më të vështira. Për këtë ministri Reçica tha se me legjislacionin e ri do të përfshihet edhe kjo kategori.

Time Kadrijaj anëtare e Komisionit përgëzoi ministrin për futjen e veteranëve të luftës në vijën buxhetore, por kërkoi që më shpejt të bëhet funksional komisioni për verifikimin e shkallës së invaliditetit.

Bekim Haxhiu anëtarë i këtij Komisioni ka ngurtë çështjen e largimit të punëtorëve nga puna nga ana e kompanisë KEDS, që sipas tij, është rreth 100. /Telegrafi/

Exit mobile version