Site icon Telegrafi

Reçica: Pensionistët të trajtohen me dinjitet

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha sot se pozita e pensionistëve do të jetë një nga prioritetet gjatë mandatit të tij, por se nuk mund të premtojë mrekulli.

Ai gjatë një takimi me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës, Sylejman Meta, tha se do të angazhohet dhe bëjë gjithçka që është e mundur dhe brenda kompetencës, që pensionistët të trajtohen dinjitetshëm.

“Do të bëjmë çdo gjë që pensionistët të trajtohen dhe të respektohen me shumë dinjitet dhe sjellje korrekte nga personeli dhe administrata. Kjo është e pakta që mund të bëjmë”, tha ministri Reçica.

Në këtë takim pensionistët kërkuan nga ministri Reçica, që brenda mundësive në një nga barnatoret e qytetit, t’u mundësohet atyre furnizimi me barnat e listës esenciale, si dhe të trajtojnë çështjen e transportit publik për pensionistët, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në nivel vendi.

Ministri u zotua se do të angazhohet dhe do të bëjë gjithçka brenda mundësive, që pensionistët të kenë vendin e tyre të merituar në shoqëri.

Exit mobile version