Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, deklaroi se ministria që ai drejton po i kushton rëndësi të veçantë aftësimit profesional, si parakusht për zbutje të papunësisë në vend.
Ai gjatë një vizite zyrtare në Lisbonë të Portugalisë u takua me homologun e tij portugez José Vieira da Silva, të cilin e njoftoi rreth gjendjes socio-ekonomike në Kosovë dhe problemeve me të cilat Kosova përballet sa i përket papunësisë.
Nga homologu i tij, Reçica u njoftua me theks të veçantë rreth sistemit të avancuar të aftësimit dhe ri-aftësimit profesional në Portugali dhe rëndësisë që shteti portugez i jep trajnimit profesional të qytetarëve të saj.
Ministri Reçica tha se është shumë e rëndësishme që Kosova të përvetësojë nga Portugalia praktikat më të mira sa i përket punësimit, aftësimit dhe ri-aftësimit profesional, për çka kërkoi që të konkretizohet bashkëpunimi nëpërmjet një marrëveshje bilaterale në fushën e punësimit si dhe aftësimit profesional.
Me këtë rast, Reçica e ftoi ministrin Silva të vizitojë Kosovën dhe të shohin mundësinë e jetësimit të bashkëpunimit. /Telegrafi/