Telegrafi

Reçica: Në emër të luftimit të korrupsionit janë përndjekur individët

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në detyrë dhe kandidati i NISMA-s për deputetë, Skender Reçica, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se konstatimi se korrupsioni është e keqja e vendit nuk është më risi.

Ai ka thënë megjithatë në emër të luftës kundër korrupsionit janë përndjekur njerëz dhe sipas tij në këtë rast ka pësuar mjaft shumë edhe kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

“Nuk ka pasur gatishmëri për t’u luftuar korrupsioni, janë shënjestruar individët”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zyrtari i NISMA-s thotë se në Kosovë korniza ligjore nuk është e keqe sa i përket luftës kundër korrupsionit, por sipas tij zbatimi është në nivelin jo të duhur.

Reçica thotë se pavarësisht se në Kosovë ka gjyqtarë e prokurorë të mirë madje edhe rrogat u janë rritur, atyre iu përzihet politika në punët e tyre.

“Nuk e kemi larguar politikën nga drejtësia. Ku mund të flasim për luftë kundër korrupsionit kur atyre iu kemi vendosur “saçin politikë” mbi kokë”.

Ai ka thënë më tej se pa largim të politikës nga gjyqësori nuk mund të ketë luftim të korrupsionit e as mirëqenie për të rinjtë./Telegrafi/