Site icon Telegrafi

Reçica: MPMS ka në plan Ligjin gjithëpërfshirës për persona me aftësi të kufizuar 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica në emisionin “Zyra e Ankesave” ka folur rreth çështjes së Ligjit për persona me aftësi të kufizuar.

Reçica theksoi se Ministria të cilën ai e drejton ka në plan një ligj gjithëpërfshirës për rregullimin e të drejtave për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.

Sipas tij, në ligjet aktuale ka shumë mangësi.

“Ka shumë mangësi në zbatimin e ligjit për persona me aftësi të kufizuar dhe shpesh herë këta persona hasin në vështirësi në realizmin e disa të drejtave të tyre të garantuar me ligj….Me një ligj, një kategori siç janë personat me aftësi të kufizuar iu është rregulluar një çështje por me një ligj tjetër iu është ndaluar. Edhe administrata tatimore edhe administratat tjera që janë të thirrura për të zbatuar ligjet po hasin në vështirësi sepse ka kundërshtime mes ligjeve”, ka thënë Reçica.

Ministri Reçica, po ashtu tha se me ligjin gjithëpërfshirës nuk do të ketë probleme  të tilla.

“E kam në plan Ligjin gjithëpërfshirës legjislativ.  Me Ligjin gjithëpërfshirës kjo kategori nuk do t’i ketë më këto telashe dhe besoj shumë do të ushtrohet kujdes sistematik që nuk do të bëhen gabimet që janë bërë me ligje. Me këto ligje disa të drejta të parapara të realizohen për këto kategori është e pamundur të realizohen në praktikë. Pas ratifikimit të ligjit gjithëpërfshirës këto ligje aktuale do të shuhen, pasi nuk ka arsye të jenë valide më”, tha ndër të tjera ministri i MPMS, Skënder Reçica./Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version