Ministri i MPMS-së, Skënder Reçica, ka thënë sot se ministria që ai drejton është duke punuar në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e punësimit për të rinjtë, pasi që në bazë të hulumtimeve tregu i punës ka nevojë për punëtorë profesionalë në shumë sektorë.
Ai këto komente i bëri me rastin e lansimit të projektit “Rinia, punësimi dhe aftësimi – arsimi profesional në Kosovë” nga MMPS dhe MKRS, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman.
Ministri Reçica tha se kjo marrëveshje është një lajm i mirë për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e vendit, për aftësim profesional për tregun e punës. Po ashtu ai tha se janë në përfundim të planit për punësimin e të rinjve dhe beson fuqishëm që deri në fund të vitit do të miratohet në Qeveri.
“Me përkushtim të madh jemi duke punuar në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e punësimit për të rinjtë. Në këtë drejtim jemi të përkushtuar në realizimin e objektivave tona në kuadër të programit qeverisës, duke mbështetur dhe rritur qasjen e të rinjve në tregun e punës përmes ofrimit të shërbimeve cilësore të punësimit dhe masave aktive të punësimit, në rritjen punësimit për mes zhvillimit të ndërmarrësisë, harmonizimin e arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës”, tha ministri Reçica.
Ai ka shtuar se në bazë të hulumtimeve, tregu i punës ka nevojë për punëtorë profesional në shumë sektorë.
Ministri i MASHT, Shyqiri Bytyqi tha se marrëveshja ka për qëllim të aftësimit të të rinjve dhe përgatitjen për punë, si dhe synon rritjen e cilësisë së edukimit dhe për punësimin më të lehtë të të rinjve.
“Projektin të cilin sot po e nënshkruajmë është një projekt në vazhdën tonë të punës, dhe neve na bënë më të sigurt të ndihemi më mirë, në atë që edhe jemi zotuar që nga dita e parë kur ne kemi marrë mandatin e e kësaj qeverisje, ku jemi zotuar që në prioritet tona do të kemi avancimin e shkollave profesionale. Konsideroj se në kuadër të këtyre prioriteteve, është një moment I rëndësishëm që në kohën e duhur ka qëlluar edhe projekti i ri që do të filloi tani në mes tre partnerëve tanë”, tha ministri Bytyqi.
Sekretarja e parë në Ambasadën gjermane në Kosovë, Anja Becky theksoi se Qeveria gjermane vazhdon të jetë donatori më i madh për Kosovën, ku sipas saj Gjermania ka ndarë deri më tash 80 milionë euro për Kosovën vetëm për fushën e aftësimit dhe arsimit profesional. /Kp/Telegrafi/