Telegrafi

Reçica: Fondi për sigurime sociale zgjidh çështjen e shtesave për fëmijë

Në debatin parlamentar për shtesat e fëmijëve ka folur edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Sipas tij, nataliteti është bërë brengë, por kjo nuk ka ndodhur, siç tha ai, për shkak të buxhetit, por në mungesë të iniciativës.

“Unë sot i referohem një shifre zyrtare të Ministrisë së Arsimit ku me 1 shtator në banka shkollore, ka pasur 16 mijë fëmijë më pak, dhe kjo është shqetësuese për të gjithë ne, për secilin qytetar dhe për secilin pushtetar, jo vetëm ne që jemi këtu, por edhe ata që kanë qenë para nesh” tha Reçica.

Sipas Reçicës, janë duke punuar për një koncept dokument për reformën pensionale që shtesat e fëmijëve të realizohen pa ndonjë ngarkesë shtesë të buxhetit të Kosovës.

“Fondi për sigurimet sociale do të jetë ai që fëmijëve tanë t’u sigurojë sigurimin që ne sot po përpiqemi në shumën që u diskutu sot që të jetë 10 apo 20 apo ndryshe… Konsideroj që me fondin për sigurimet sociale do të zgjidhen edhe shtesat për fëmijë, njëkohësisht duke ndikuar edhe në mirëqenies së fëmijëve dhe duke mos ngarkuar buxhetin e shtetit edhe ashtu të ngarkuar”, tha Reçica.

Në fund, deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka shpresuar që deri në seancën e ardhshme do të mund të harmonizojnë një rezolutë të përbashkët.

Madje ajo ka shtuar se është për keqardhje bojkoti i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Vetëvendosjes.

Në mungesë të kuorumit është pamundësuar edhe votimi i këtyre propozimeve, andaj ajo është shtyrë për të enjten./Telegrafi/