Kosova është duke vazhduar të përballet me pandeminë COVID-19 sikurse edhe të gjitha vendet e tjera anë e kënd botës.
Përveç numrit të të infektuarve, ku shumica kërkojnë trajtim në Klinikën Infektive, qytetarët por edhe institucionet po përballen edhe me lajme të rrejshme e “receta” për trajtim të të prekurve me COVID-19.
Së fundmi në rrjetet sociale është duke u shpërndarë me të madhe një recetë e tillë, gjë që ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të reagoj lidhur me këtë.
MSh ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me COVID-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare.
Reagimi i plotë i ministrisë:
Të nderuar qytetarë,
Jemi dëshmitarë që së fundi nëpër rrjetet sociale (jo vetën në nivel lokal) po shpërndahen me të madhe të ashtuquajtuara “receta” të ndryshme për trajtimin e personave të prekur nga COVID-19.
Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara. /Telegrafi/