Site icon Telegrafi

Recension i librit – “Syni dhe mendja e qytetarit, përballë shërbimeve të mshefta serbe”

Vështrim i përgjithshëm

Që kur njeriu ka filluar të merret me aktivitete politike, zënë fill edhe “instrumentet” përmes të cilave sendërtohen, arrihen dhe mbrohen qëllimet e artikuluara nga politika. Dhe, “instrumenti” më kompleks i arritjeve të këtyre qëllimeve është përdorimi i dhunës së organizuar fizike me anë të armëve që ne e njohim si luftë, dhe kushtimisht, ajo duhet të jetë ndër zanatet më të vjetra të njeriut. Krahas zhvillimeve të përgjithshme shoqërore, u zhvilluan edhe mënyrat dhe metodat për zhvillimin e luftës, por prirja për të ushtruar dhunë deri në ekstrem për arritjen e qëllimeve, mbeti brenda natyrës së saj, dhe kjo e bën luftën të jetë si nga veprimtaritë më të vështira dhe më të rrezikshme shoqërore.

Fitorja mbi armikun është qëllim i ndërmarrjeve ushtarake, por të njëjtin synim ka edhe armiku i cili ia mësyn me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion. Kjo gjendje përpos se shkakton shpenzime të mëdha, krijon edhe rrezik, pasi në një ndeshje për jetë a vdekje, fitorja dhe humbja rrinë bashkë.

Gjatë historisë së njerëzimit, ka shumë shembuj kur politikanë dhe gjeneralë aventurier, nuk kanë vlerësuar rrezikun që në vetvete ka lufta dhe janë hedhur në të pa menduar shumë, ndërkohë që pasojat kanë qenë fatale. Si shkak i zhdukjes së shumë popujve dhe shteteve të antikitetit dhe Mesjetës që njeh historia, është edhe mos vlerësimi i rrezikut që ka në vetvete lufta si fenomen shoqërorë.

Ne, si shqiptarë, si pasardhës të popullit të lashtë ilir, duhet ta marrim në konsideratë më shumë se çdo kush këtë fakt, ngase historia e jonë e vështirë, mase dymijë vjeçare, u determinua nga një gabim fatal, dhe do të thosha edhe aventurier, i hyrjes në luftë me superfuqinë botërore të kohës, Perandorinë Romake.

Mbi bazë të vlerësimeve për rreziqet që shkaktohen nga lufta, gjatë historisë, shquhen politikanë dhe gjeneralë të urtë të cilët përpunuan metoda për një formë tjetër të luftimit duke bërë që të nënshtronin armiqtë pa përdorimin e armëve. Ata kanë vërejtur se shikuar nga prizmi cost-benefit, kjo formë e luftimit po pati sukses ka kosto shumë të vogël e përfitim të madh, dhe po ashtu, edhe nëse dështon, humbjet janë shumë më të vogla në krahasim me ato që do të shkaktoheshin nga ndërmarrja e aksioneve ushtarake.

Në literaturë kjo formë njihet me emërtimin si “Lufta speciale” dhe boshti i mbështetjes së saj është operacioni i fshehtë. Ndonëse emërtimi për të është i ri dhe përkon me shekullin e kaluar, ajo historikisht evidentohet të jetë aplikuar që në agun e lindjes së qytetërimit botëror, diku rreth 4600 vite më parë, në qytetet-shtete sumere. Arkeologët kanë deshifruar një pllakë argjile të shkruar nga një autor anonim sumer, i cili përshkruan aktivitetet subversive të ndërmarra nga Ermekari, mbreti i Erahut, qytet në jug të Mesopotamisë, i cili ja arrin që përmes operacioneve të fshehta ta nënshtrojë qytetin shtet të Aratës.

Ndërkohë, metodat për zhvillimin e luftës speciale të shkruara në literaturë, për herë të parë hasim në librin “Arti i luftës” të shkruar nga kinezi Sun Xu, në mes të shekullit III dhe IV p.e.r. Ndonëse libri “Arti i luftës” është një doktrinë mbi mënyrën e zhvillimit të luftës, një pjesë e konsideruar e tij i kushtohet aksioneve të fshehta, apo më mirë të themi, sipas Sun Xusë, aksioni i fshehtë është pjesë e pandashme, e në të shumtën e rasteve, duhet paraprirë aksioneve ushtarake. Dhe për të rrumbullakuar konstatimet e kinezit gjenial, mundë të themi se ai porosit udhëheqësit shtetërorë dhe ushtarak që ta shmangin luftën, atë, ta zhvillojnë vetëm për nevoja ekstreme dhe përparësi t’i epet aksionit të fshehtë. Në një nga versetet e librit të tij ai porositë: “T’i mbërrish njëqind fitore në njëqind beteja, nuk është kulmi i zotësisë, por të mundësh armikun pa asnjë betejë është kulmi i zotësisë…Kush e njeh mirë artin e luftës, ai di të mposhtë ushtrinë armike pa betejë. Pushton qytetet armike pa i rrethuar dhe përmbysur një shtet pa operacione të gjata”

Termi “duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza” është termi modern i përkufizimit i të gjitha mënyrave të deritanishme të zhvillimit të aksioneve të fshehta, që nga antikiteti e deri më sot. Edhe pse gjatë shekujve ato janë rafinuar e përpunuar, thelbi i tyre mbetet po ai për të cilën edhe filluan të organizohen këto aksione.

Vështrim mbi librin

Pas disfatës ushtarake që pësoj Serbia, në përpjekje për ta mbajtur nën sundim Kosovën, ajo, për shkak të konstalacionit të forcave, për momentin ka hequr dorë nga aksioni ushtarak, por në mënyrë intensive dhe sistematike është duke bërë agresion përmes aksioneve të fshehta. Libri “Syni dhe mendja e qytetarit përballë shërbimeve të mshefta serbe” i autorit Xhevat Meha, është i vonë dhe i rrallë në krahasim me fillimin e aksioneve të fshehta serbe në drejtim të popullit tonë. Por është ndër të pakët dhe të parët, që në mënyrë metodike ja ka dal ta demaskoi këtë veprimtari.

Shteti serb, përmes shërbimeve të veta, agresionin në drejtim të shqiptarëve e fillon që në vitin 1844, ku në elaboratin famëkeq “Naçertanije” krijohen shabllonet e veprimtarisë së fshehtë në drejtim të popujve jo serb të Ballkanit, me theks të veçantë kundër shqiptarëve, e të cilat që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme kanë ruajtur kontinuitetin e veprimit. Autori Meha, pa ju referuar literaturës, dhe pa i hyrë historisë, por në mënyrë analitike konstaton vështirësitë e konsolidimit shoqërorë të popullit shqiptarë në hapësirat ballkanike, ku me theks spikatë lindjen e vështirë të shtetit të Kosovës si dhe funksionalizimin e tij. Ai ia ka dal që të analizoj dhe të piketoj veprimtarinë subversive të shërbimeve të fshehta serbe si faktorin kryesor i cili ngadalëson funksionalizimin dhe herë-herë e qon drejt rrënimit të shtetit të Kosovës.

Ndonëse autori në këtë fushë vjen nga një profesion tjetër, ja del që natyrshëm të shtjelloj dhe të vë në pah aksionet e fshehta të shërbimeve serbe, të cilat përmes agjenturës masive ja kanë arritur të ndikojnë që jeta jonë shoqërore të futet në rrjedha të gabuara në fushat politike, ekonomik, ushtarake, kulturore, shkencore, fetare etj”. E veçanta e kundrimit të autorit Meha në këtë punim është fakti se ai ka shfrytëzuar përvojën e vet prej kontabilisti dhe të revizionit financiar, për të identifikuar shabllonet e vjetra, por efektive, të veprimeve të fshehta në drejtim të shqiptarëve, e të cilat përfshin:

1. Kamuflimin e veprimtarisë së fshehtë deri në masën që ajo të duket gjë e rëndomtë, duke e reduktuar në nivelin e një fatkeqësie elementare;

2. Sulmin masiv mbi popullatën ose grupet që e masivizojnë efektin;

3. veprimtaria e fshehtë, të orientohet në fushat që kanë ndikim psikologjik te popullata, në mënyrë që me kalimin e kohës, ose të shkaktojnë gjendjen e depresionit dhe pa perspektivës, ose të krijoj efekte që i konvenojnë agresorit, në këtë rast Serbisë;

4. Dhe së fundmi, ndikimi në krijimin e masave të mëdha njerëzish që përhapin idenë se pushteti i agresorit (në këtë rast i Serbisë) është më i mirë.

1. Veprimtaria e shërbimeve të fshehta është e kamufluar, dhe sikur mos të ishte e tillë ajo do të identifikohet lehët dhe efektet e saj nuk do të kishin pasoja. Dhe që në fillim, autori e kapë këtë shabllon të veprimtarisë së shërbimeve serbe, duke dhënë shembuj nga praktika e përditshmërisë mbi krijimin e efekteve negative shoqërore, të cilat, neve na dukën sporadike dhe të natyrshme, pasi lënë përshtypjen se janë të krijuara nga inercia e përditshmërisë, e që në fakt prodhojnë efekte të këqija për shtetin tonë. Simbolikisht autori këtë shabllon e quan “errësirë” e që praktikisht nënkupton “mshefjen” e kësaj veprimtarie duke luajtur në mes të asaj që është e ligjshme dhe e kundërligjshme, e që qojnë në zhvillimet e operacioneve të “intensitetit të ulët”, me qëllim të përgatitjes së fazës për hapjen e një “konflikti jokonvencional” i cili do të përqendrohet në taktikat jo të dhunshme, por edhe jo të ligjshme, që kryesisht kanë të bëjnë me nxitje për të mos zbatuar ligjet e Kosovës. Në terren, taktika e realizmit konsiston në: përkrahjen e grupeve të caktuara që kundërshtojnë realitetin politik; nxitjen dhe përkrahjen e aksioneve terroriste; propaganda gri; propaganda e zezë; mbështetjen e personaliteteve të caktuara me ndikim në fushën e mediave, kulturore, fetare e sportive; ndihmën e organizatave që kanë ndikim në jetën publike; mbështetjen e bizneseve të papastra, nxitjen e korrupsionit, mbështetjen e krimit të organizuar etj. Të gjitha këto, do të jenë trajtim i thuktë në këtë libër, ku autori në mënyrën e vet origjinale e shkoqit gjenezën dhe efektet masive të kësaj veprimtarie, duke e dhënë porosinë, por njëkohësisht edhe zgjidhjen, e që sipas tij është: “ndriçimi i kësaj veprimtarie është eliminimi i errësirës”

2. Sulmi masiv ndaj popullatës ose grupeve që e masivizojnë efektin, si një nga shabllonet përmes të cilave krijohen efektet e pritura, është pjesa që më së shumti zë vend në këtë libër. Pikënisja e trajtesës së veprimit të shërbimeve të fshehta serbe përmes këtij shablloni, për autorin është një debat, në një nga televizionet tona, i transmetuar në fund të janarit të vitit 2014, ku nga të ftuarit në emision, bëhet publike e dhëna se “Serbia në Kosovë ka 700 spiunë”.

Në fakt, kjo e dhënë ishte bërë publike në mediat ballkanike një vit më parë, pasi që në një debat të zhvilluar në Bruksel, e që temë kishte shërbimet sekrete të vendeve ish komuniste, Zoran Petroviq, pjesëmarrës në këtë debat, si përfaqësues i OJQ-së “Kupi-Kapinik” publikon shifrën për masivitetin e agjenturës serbe në Ballkan, e cila përfshin kontingjentin prej 2200 spiunëve, ku më së shumti kishte në Kosovë, 700 sosh.

Si duket kjo e dhënë e ka shqetësuar së tepërmi autorin, i cili merr për sipër që në mundësitë e veta ta “ndriçoj terrenin” ku veprojnë ata. Autori nuk merr përsipër veprime operative për të dokumentuar aktivitetin agjenturor të spiunëve të shtetit serb në Kosovë. Ai merr mostra nga përditshmëria kosovare, dhe së pari, në mënyrë analitike fakton mundësitë e regjimeve serbe për të rekrutuar kapacitete të tilla të spiunëve. Dhe së dyti, konstaton se ky masivitet është kualitativ, dhe ky kualitet mundëson rritje sipas progresionit gjeometrik.

Kohë pas kohe, dhe jo për retorikë, por i ndikuar nga eksplorimi analitik, i cili autorin e qon deri në shqetësim, e përsërit frazën: “700 spiunë sa 70 batalione ushtarake me nga 700 ushtarë”. Kjo rritje sipas progresionit gjeometrik, për autorin krijon premisa që shërbimet serbe të ndërmarrin sulmin masiv mbi popullatën ose mbi grupet që masivizojnë efektet në dobi të tyre.

Më në brendësi të librit, do të gjeni të zbërthyer lëmshin e kësaj rritje të kategorizuar në tri kategori sipas mënyrës së autorit, e të cilat janë: spiunët me betim, që janë 700; bashkëpunëtorët që janë në dijeni; dhe, bashkëpunëtorët që nuk janë në dijeni.

Sipas përllogaritjeve, me një mbështetje solide të shtetit serb, kontingjenti i kategorisë “me betim” ka kapacitete të prodhoj masën prej rreth 50.000 personave të dy kategorive tjera, të cilat sipas autorit “janë arsenal i Serbisë në Kosovë, janë fuqia e Serbisë në Kosovë”.

3. Shablloni tjetër i veprimit ku veprimtaria e fshehtë orientohet në fushat që kanë ndikim psikologjik te popullata, në mënyrë që me kalimin e kohës, ose të shkaktojnë gjendjen e depresionit dhe pa perspektivës, ose të krijoj efekte që i konvenojnë Serbisë, autori Meha e trajton si produkt të veprimtarisë në kuadër të dy shablloneve të para, çka në realitet duhet të jetë edhe synim i veprimtarisë së fshehtë të shërbimeve serbe. Kjo sipas autorit është e orientuar në “ndërtimin e sistemit degradues të vlerave shoqërore”.

I tërë kapitulli i dytë i këtij libri merret me zbërthimin e këtij sistemi, i cili është ndërtuar me kujdes dhe ka përfshirje masive që nga familja e deri në institucionet më të larta. Autori pasi konstaton mungesën e kujdesit institucional për popullin tonë gjatë gjithë historisë, e me theks të veçantë, periudhën e sundimit serb nga viti 1912, e konsideron familjen e konsoliduar si institucion të vetëm të atdhetarizmit dhe mbijetesës. Këtë konstatim autori e bën pa e lexuar vlerësim për familjen shqiptare që e bën Voisllav Sheshel me 14.10.1995 në intervistën e gjatë në gazetën “Velika Serbia” në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Serbisë. Sipas Sheshelit, familja shqiptare është e fortë dhe për të thyer rezistencën shqiptare duhet të dobësohet ajo, ku me këtë rast, ai përmend një mori veprimesh, por theksin e vë në veprimet që mundësojnë degjenerimin e saj, e ku si masë praktike fillestare përmend “lejimin për hapjen e mediave të cilat shfaqin programe dekadente”. Sulmi sistematik i shërbimeve të fshehta serbe mbi familjet shqiptare, dhe i cili bartet shkallë-shkallë në të gjitha institucionet, sipas autorit Meha, realizohet duke i ndërtuar sistemet e antivlerave ku spikatë ngritja në sistem dhe të bërit fenomen të rrenës, hajnisë, tradhtisë dhe kurvërisë. Përmes këtij sistemi, gjithnjë sipas autorit, është futur nën kontroll dhe është bërë funksionimi jo normal i shumë segmenteve që e determinojnë jetën shoqërore në Kosovë, ku është arritur që të vihet dorë në ekonomi, në gjyqësi, në parti politike, në vlerat e luftës, në arsim dhe kulturë, shkencë etj.

4. Së fundmi, shablloni ndikimi në krijimin e masave të mëdha njerëzish, që përhapin idenë se pushteti i agresorit është më i mirë (në këtë rast i Serbisë), është i trajtuar pothuajse në gjithë librin. Ndonëse ai askund në mënyrë eksplicite nuk përmend frazën “me mirë ka qenë në kohën e Serbisë”, çdo temë e trajtuar, fillon, apo diku në brendësi, ose në fund, e pret barazimin, që qëllim i veprimtarisë së shërbimeve të fshehta serbe të jetë rezultati: defetizmi, rënia për tokë e moralit të popullsisë dhe kërkimi i alternativave tjera jo konvencionale.

Autori duke trajtuar këtë shabllon të veprimtarisë së shërbimeve serbe, na përkujton në vazhdimësi për rreziqet në të cilën dërgon rruga e trasuar nga kjo veprimtari, e që fundin e ka në frazën “Kosova shtet jo funksional” të cilën çdo ditë politika dhe diplomacia serbe e përsërisin.

Përfundime

Tema të cilën autori Meha e trajton në këtë libër është e ndjeshme dhe zgjon kureshtje, pasi që pjesa më e madhe e familjeve kosovare, në një apo formë tjetër, janë prekur nga veprimtaria e shërbimeve të fshehta serbe në këto njëqind vitet e fundit. Aq më tepër, kur këto veprime kanë lënduar rëndë shumë familje.

Dhe lexuesi i intriguar nga titulli, do të nxitoj ta marr librin dhe do të pres që brendësia e librit të jetë e mbushur me emra dhe me data të cilat do ta “ndriçonin veprimtarinë e errët” të personave që kanë qenë në afërsi të tyre, të shokëve të tyre, prindërve apo gjyshërve, e të cilët rrugës i kanë tradhtuar. Një kategori tjetër, posa të marr vesh për botimin e këtij libri, gjithashtu e intriguar nga titulli, deri sa ta përfundoj së lexuari librin deri në fund, do të ndihet në siklet; në radhë të parë nga frika se diku do të dal emri i tij apo i të afërmeve të tij, dhe së dyti, do të bashkëjetoj me librin pasi gjatë gjithë kohës do të gjej vetën si pjesë e komplotit kundër popullit të vet.

Nga ky prizëm, autori as kategorisë së parë nuk i plotëson kërshërinë e as kategorinë e dytë nuk e sikletosë shumë. Në këtë pikë ai ja ka dal të jetë mbi vetën; stili i të shkruarit dhe mesazhi është universal, është ndërgjegjeje dhe thirrje për të gjithë; si për ata që e vërejnë këtë veprimtari e nuk e “ndriçojnë” ashtu edhe për ata që verbërisht janë zhytur brenda saj. Dhe thirrja e autorit për amnisti, e ndarë në periudha kohore, për të gjithë ata që janë zhytur në këtë veprimtari, është apel publik për ta; që për paraardhësit e tyre dhe për vetën të sigurojnë një vend në purgator, kurse pasardhësit t’i shmangin nga rruga e ferrit. Përndryshe shqiptarët dhe Kosova do ta jetojnë jetën edhe nëse kjo vështirësohet nga veglat e shërbimeve të fshehta serbe.

Natyrisht se do të ketë edhe të atillë që temën e shtjelluar nga autori Meha do ta cilësojnë boshe ose paranojë, dhe kjo është e drejtë dhe çështje e perceptimit të tyre. Por këtë qasje e cenon materia që na ofrohet në këtë libër. Më lartë thamë që materia nuk shtjellohet nga niveli operativ por nga ai analitik, që në gjuhen profesionale i bie “shfrytëzim i burimeve të hapura”.

Dhe zakonisht, pikënisja e gjurmimit të veprimtarisë së shërbimeve të huaja në një vend, bazën e ka nga burimet e hapura. Kështu, nga ky nivel i kundrimit, autori na servirë shembuj dhe situata konkrete të stilit “duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza”, e të cilat atij ja konfirmojnë brengën. Ato, që nga fillimi e deri në fund të librit, janë të bollshme, prandaj ja vlen të lexohen me kujdes.

Exit mobile version